Në një botë plot histori të jashtëzakonshme personale, rasti i Kamila Rodrigues Cardoso nga Brazili ka shkaktuar habi dhe admirim në mbarë rrjetet sociale. E rritur në Patos de Minas, Kamila nisi karrierën si modele, por në moshën 18-vjeçare mori një vendim që i ndryshoi jetën rrënjësisht: la pas botën e modës për t’u bërë murgeshë. Sot, ajo njihet si Motra Eva, duke u kthyer në një figurë virale për transformimin e saj të papritur dhe të thellë shpirtëror.
Nga pasarelat te qetësia e fesë
Kamila u rrit mes pasioneve të modës dhe bukurisë, madje arriti të fitonte kurorën Miss Rising Sun Teen Continent, që i hapi rrugën pjesëmarrjes në Miss Brazil dhe më pas në garat për Miss Universe. Megjithatë, pas shkëlqimit të skenës, ajo mbante brenda një plagë të vjetër: humbjen e të atit kur ishte vetëm nëntë vjeçe.
Në një intervistë për ‘The Noite’, ajo pranoi se depresioni dhe ankthi që e ndoqën më pas e bënë të kuptonte se modelingu nuk e plotësonte më.
“Mendova se e kisha gjetur profesionin e jetës, por zemra ime ishte bosh. As fama, as pasarelat nuk më shëruan dhimbjen,” rrëfeu Kamila.
Thirrja shpirtërore
Në momentet e krizës, ajo iu afrua fesë. Filloi të frekuentonte kishën dhe të lutej rruzaren. Pikërisht atje ndodhi edhe kthesa e madhe:
“Gjatë një predikimi, pashë një murgeshë të kalonte. Rrezatonte një dritë që nuk e kisha parë kurrë. Aty fillova të studioja jetën e murgeshave dhe pashë veten me rrobën dhe velin e tyre,” kujton ajo.
Vendosmëria e çoi drejt një manastiri, ku zgjodhi emrin Eva, si simbol i gruas së parë në Bibël dhe fillimit të një epoke të re për veten.
Jeta e re si motër rregulltare
Sot 21 vjeç, Motra Eva është anëtare e Kongregacionit të Santa Dei Genitrix, një institucion i pavarur nga Kisha Katolike Apostolike Romake në Brazil. Ajo është shndërruar në një figurë tejet të komentuar, sidomos pasi një video ku shfaqej duke shitur artikuj fetarë u bë virale.
Pavarësisht famës së papritur, ajo mban një profil të rezervuar mbi jetën personale, duke përdorur rrjetet sociale vetëm për të ndarë mesazhe frymëzuese, punën e saj shpirtërore dhe aktivitetet e komunitetit që shërben.






