Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçi ka nisur të hënën marrjen në pyetje të dëshmitarit të parë të Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në procesin gjyqësor për pengim të drejtësisë ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Dëshmitari, pjesë e stafit të Prokurorisë, kishte nisur dëshminë më 27 shkurt si i pari i thirrur nga ZPS në këtë çështje. Ai u mor në pyetje nga avokatja e Thaçit, Sophie Menegon. Seanca, e cila filloi në orën 09:30, herë pas here kaloi në pjesë të mbyllura për publikun.
Gjatë kundërpyetjes, mbrojtja u fokusua në procedurat që lidhen me dëshmitarët në rastin tjetër ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se disa prej tyre e kanë bërë vetë publike ftesën për të dëshmuar në Hagë. Si shembuj u përmendën Rrustem Mustafa (Remi), Bislim Zyrapi, Sylejman Selimi dhe Shukri Buja. Sipas dëshmitarit, këta persona nuk ishin vendosur nën masa mbrojtëse, pasi janë figura publike dhe kanë folur më herët në media për çështjet në fjalë.
Në seancën e 27 shkurtit, dëshmitari kishte shpjeguar se dëshmitarët zakonisht udhëtojnë në Hagë 7–10 ditë para dëshmisë, për t’u përgatitur duke analizuar deklaratat e mëhershme dhe materiale të tjera. Ai shtoi se dëshmitarët kanë të drejtë të korrigjojnë ose ndryshojnë dëshminë e tyre.
Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2023, të akuzuarit dyshohet se kanë ndërhyrë në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm në seancën paraprake.
Prokuroria pretendon se disponon prova, përfshirë audio-incizime të realizuara në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku sipas saj Thaçi udhëzon të akuzuarit që të ndikojnë dëshmitarë të caktuar për të ndryshuar dëshminë. Gjithashtu, thuhet se te disa nga të akuzuarit janë gjetur materiale që dyshohet se u janë dhënë nga Thaçi.
Ndërkohë, gjyqi ndaj Thaçit dhe tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së – Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ka përfunduar në shkurt. Çështja i është dorëzuar trupit gjykues, i cili ka afat tre muaj për të shpallur vendimin ose për të kërkuar zgjatje të afatit.






