Data e nisjes së veprimeve në sistemin SEPA nga bankat dhe institucionet e pagesave në Shqipëri është caktuar për 5 tetor 2025. Ky informacion u bë i njohur gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, që u zhvillua në Bankën e Shqipërisë. Gjatë këtij takimi, ekspertët paraqitën hapat dhe afatet që do të ndjekin institucionet shqiptare për t’u anëtarësuar dhe për të nisur operacionet në sistemin SEPA.
Ekspertët shpjeguan se ofruesit e shërbimeve të pagesave në Shqipëri mund të fillojnë procesin e anëtarësimit në SEPA në muajin prill 2025. Megjithatë, do të ekzistojë një periudhë kalimtare mes anëtarësimit dhe mundësisë për të realizuar transferta të plota përmes sistemeve të SEPA, duke mundësuar kështu gatishmërinë operacionale të plotë të institucioneve për funksionimin e sistemit të pagesave ndërkombëtare në euro.
Si rregull, aplikantët e skemës mund të dërgojnë aplikimet e tyre dhe të përfshihen në Regjistrin e Pjesëmarrësve të Skemës deri në 6 muaj përpara datës së parashikuar të gatishmërisë operacionale.
Megjithatë, data e saktë e gatishmërisë operacionale do të duhet të përcaktohet nga çdo ofrues i shërbimit të pagesave, së bashku me mekanizmin e zgjedhur të klerimit dhe shlyerjes së pagesave.
Kriteret e pranimit në SEPA janë specifike për secilën skemë, por në thelb të gjitha kërkojnë minimalisht përmbushjen e disa kritereve minimale, si të pasurit e një licence për ofrimin e shërbimeve të pagesave nga autoriteti rregullator i vendit përkatës, aftësia dhe kapacitetet për të përballuar kërkesat e lidhura me luftën ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kriteret e lidhura me administrimin e rrezikut dhe kërkesat për kapitalizimin, aftësinë paguese dhe likuiditetin.
Skemat e pagesave të SEPA janë ajo e transfertave të kreditit (SCT), e transfertave të kreditit në çast (SCT instant) dhe ajo e Debimit Direkt (SDD). Dy skemat e para mundësojnë kryerjen e transfertave mes llogarive të klientëve në institucionet anëtare të pagesave. Ndryshimi mes tyre është se në skemën e transfertave të kreditit transfertat ekzekutohen brenda një dite pune, ndërsa në skemën e transfertave të kreditit të çastit ato kryhen brenda pak sekondash.
Skema e debimit direkt u mundëson bizneseve mbledhjen direkte të detyrimeve utilitare apo pagesave periodike automatikisht nga llogaria e klientit, me miratimin e tij.
Shqipëria u pranua zyrtarisht në Zonën e Vetme Europiane të pagesave SEPA në 21 nëntor 2024, duke u bërë, së bashku me Malin e Zi, dy vendet e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor që aderojnë zyrtarisht në skemë.
Sipas analizave të kryera nga Banka Botërore, aktualisht një pagesë nga Shqipëria drejt zonës SEPA sot kushton gati 10 herë më shumë se një pagesë brenda zonës SEPA. Transferta kërkon disa ditë pune, ndërsa me anëtarësimin në SEPA pritet që paratë të transferohen në llogarinë e përfituesit maksimalisht brenda një dite pune.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në vitin e parë të pjesëmarrjes në SEPA, ekonomia shqiptare pritet të kursejë rreth 20 milionë euro. Nga pikëpamja e stabilitetit financiar, pjesëmarrja në SEPA ofron një mënyrë për të adoptuar sisteme më moderne, më të sigurta dhe më eficiente të pagesave elektronike.
Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte. Ulja e kostove të transfertave në euro pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave.
Lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, Bashkimin Europian, pritet mundësojë zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare






