Një grup anëtarësh të Kryesisë së PD-së mes të cilëve, Bujar Nishani, Endira Bushati, Arben Imami e Arben Ristani, kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryedemokratit Lulzim Basha nga drejtimi i partisë pas humbjes në zgjedhje.
“Me Lulzim Bashën në krye të PD-së historia e këtyre tetë viteve të fundit është një histori dështimesh të Partisë Demokratike. Me paftësinë, me veprime të gabuara dhe pa një strategji politike, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, me spastrimet e filluara në 2014-tën dhe të përsëritura periodikisht, me mungesën e plotë të respektit për organet e brendshme të partisë dhe për votën e anëtarëve të saj, Lulzim Basha i shërbeu humbjes së fundit”, thuhet në deklaratë.
Anëtarët e Kryesisë së PD kërkojnë mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, “me qëllim hapjen e rrugës për të nisur një proces rrënjësor reflektimi dhe analize, të domosdoshëm dhe jetësorë për Partinë”.
Në një dalje të bërë dje nga selia blu Lulzim Basha foli për një masakër elektorale, duke u shprehur se qeveria Rama ka përdorur miliona euro për të blerë vota.
Deklarata
Ne, një grup anëtarësh të Partisë Demokratike, anëtarë të Kryesisë, të Këshillit Kombëtar, anëtarë të Forumit Rinor, studentë të dhjetorit 1990, themelues të PDSH-së, simpatizantë të së djathtës shqiptare, ndihemi të tronditur nga humbja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Shqipëria erdhi në këto zgjedhje pas një periudhe 8-vjeçare të një qeverisjeje të korruptuar, të kriminalizuar dhe klienteliste, që e ka çuar vendin në varfëri të tejskajshme, braktisje masive, dhe në humbjen e shpresës. Fitorja në zgjedhje ishin mundësia e vetme për të një të ardhme të ndryshme, prandaj këto zgjedhje nuk mund e nuk duhet të humbnin. Qytetarët e këtij vendi, zgjedhësit, anëtarët e partisë e kanë mbështetur partinë në protesta e kudo, por pakënaqësia e përgjithshme dhe kjo mbështetje nuk u kapitalizuan me fitoren në zgjedhje.
Humbja e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 nga Partia Demokratike ka përgjegjësit e saj e në rradhë të parë kryetarin Z. Lulzim Basha! Ai, ndër të tjera, ka shuar ëndrrën për demokraci të qindra mijëra shqiptarëve, duke humbur dy palë zgjedhje të përgjithshme, duke dorëzuar pushtetin qëndror, pushtetin vendor dhe opozitarizmin në dorën e Edi Ramës.
Partia Demokratike ka shembuj të një sjelljeje politike e qytetare në rastin e humbjes së zgjedhjeve në rrethana normale siç ishin ato të vitit 2013-të pas tetë vitesh qeverisjeje, kur kryetari i partisë Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të lartë të saj morën përgjegjësinë dhe dhanë dorëheqjen për t’i hapur rrugën ristrukturimit të partisë e zgjedhjes së një drejtimi të ri për bërë një opozitë të denjë për historinë e saj dhe për ta çuar në fitore.
Por, z. Lulzim Basha, që prej vitit 2013, kur mori drejtimin e partisë, e ka drejtuar atë pa profesionalizëm dhe pa dinjitetin e nevojshëm institucional. Ai është përgjegjësi i drejtpërdrejtë i mpakjes dhe, shpesh, edhe i shuarjes në mënyrë arbitrare të shumë strukturave të partisë, të largimit të shumë anëtarëve, themeluesve, dhjetoristëve, kontributorëve më të denjë, të shtyllës së saj kurrizore, të çdo individi dhe zëri të lirë, që nuk binte dakord me këtë mënyrë drejtimi të Partisë Demokratike, duke mos lënë mundësinë për asnjë forum të hapur dhe duke eleminuar demokracinë e brendëshme në Parti.
Me Lulzim Bashën në krye të PD-së historia e këtyre tetë viteve të fundit është një histori dështimesh të Partisë Demokratike. Me paftësinë, me veprime të gabuara dhe pa një strategji politike, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, me spastrimet e filluara në 2014-tën dhe të përsëritura periodikisht, me mungesën e plotë të respektit për organet e brendshme të partisë dhe për votën e anëtarëve të saj, Lulzim Basha i shërbeu humbjes së fundit.
Pas marrëveshjes së errëte të pasqaruar të 17 majit 2017, marrëveshje e pakëshilluar me forumet e partisë, si dhe pas humbjes së zgjedhjeve të po atij viti në bashkëpunim e bashkëfajësi me Edi Ramën, ai u rizgjodh në krye të Partisë Demokratike nëpërmjet një procesi jo-transparent dhe mjaft të diskutueshëm. Megjithatë, anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike vunë përpara interesat e vendit për të mundësuar një qeverisje të djathtë që do të sillte një ndryshim rrënjësor të sistemit të kalbur qeverisës së vendit dhe pranuan vendimin e Z. Basha dhe të grupit të tij të ngushtë për t’u provuar përsëri nga vota e popullit.
Në çdo vend demokratik, është pikërisht opozita ajo që ngjall shpresë dhe sjell ndryshimin, por, sërisht dhe fatkeqësisht, Lulzim Bashaia humbi vendit mundësinë e një ndryshimi thelbësor dhe rrënjësor, ia humbi edhe një herë tjetër PD-së mundësinë për të drejtuar popullin drejt një të ardhme europiane, të drejtë dhe të ndershme.
Për këto arsye dhe shumë të tjera, ne, kërkojmë dorëheqjen e menjëherëshme dhe të parevokueshme të Kryetarit të Partisë Demokratike Z. Lulzim Basha, të Sekretarit të Përgjithshëm të PDSH-sëe të nën-Kryetarëve. Ne kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me qëllim hapjen e rrugës për të nisur një proces rrënjësor reflektimi dhe analize, të domosdoshëm dhe jetësorë për Partinë, proçes, i cili të mundësojë zgjedhje të jashtëzakonshme, me një garë të drejtë, të hapur e demokratike për strukturate reja drejtuese të Partisë, bazuar në modelet më të mira të partive tona simotra të së djathtës klasike. Partia Demokratike duhet të kthejë demokracinë në strukturat e saj, fjalën e lirë, konkurueshmërinë, vendimin kolegjial dhe garën e pastër e të pakompromentuar.
Përgatitja e një reformimi ideologjik të djathtë, të orientuar nga liria e individit, familja, tregu, prona, shoqëria, autonomia lokale, partiake dhe qeverisëse; kthimi në shtyllat e funksionimit tonë që prej themelimit, rishikimi i menëjhershëm i një programi dhe strategjie të fortë dhe të paepur opozitare, duke bashkuar Partinë Demokratike dhe duke ftuar në parti çdo kontribut qëllimisht apo fatkeqësisht të humbur ndër vite, por edhe çdo prurje të re, janë parimet bazë që ne duhet të nisemi për të khyer Partinë Demokratike në rrënjët e saj. Kjo do të jetë e vetmja mundësi për t’i bërë ballë, në një kohësa mëtë shkurtër, qeverisjes të korruptuar dhe vrastare të fateve të shqiptarëve dhe Shqipërisë nga mungesa e një alternative reale të djathtë.
I bëjmë thirrje gjithë anëtarësisë së Partisë Demokratike ti bashkohet kësaj thirrje.
Edith Harxhi
Endira Bushati
Bujar Nishani
Ibsen Elezi
Bislim Ahmetaj
Arben Imami
Arben Ristani
Edvin Kulluri
Pirro Ahmetaj
Endrit Hoxha