Detaje të reja kanë dalë pas ngjarjes tragjike me 25-vjeçaren Xhuana Nikolli nga Lezha, e cila ndërroi jetë një ditë më parë në QSUT duke konsumuar fostoksinë. Familjarët e saj kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr. 2 ndaj ish-partnerit Eraldo Fizi, i cili aktualisht është shpallur në kërkim nga policia.
Sipas informacioneve, Fizi ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 shkurt dhe po atë ditë kishte takuar ish-bashkëshorten e tij, nga e cila ishte divorcuar tre muaj më parë. Dyshohet se gjatë këtij takimi ai ushtruar dhunë fizike ndaj Xhuanas.
Policia ka kryer këqyrjen e trupit të pajetë të vajzës, ku janë konstatuar shenja të rënda dhune në kokë, fytyrë dhe njërin krah. Familjarët pretendojnë se dhuna ndaj saj kishte qenë brutale dhe e vazhdueshme.
Para se të ndërmerrte aktin fatal, Xhuana kishte lënë një letër ku shprehte dëshirën që ata që i kishin bërë keq të mos vazhdonin ta dëmtonin, dhe u kërkonte ndjesë prindërve të saj për aktin e ndërmarrë. Hetimet e policisë vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.






