Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një dalje për mediat nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u pyet për sulmin me molotov ndaj Vila e Enver Hoxhës gjatë protestës opozitare të të shtunës. Berisha refuzoi të jepte përgjigje të drejtpërdrejtë para SPAK dhe theksoi se komentet do t’i japë nga selia e PD-së.
“Patjetër që shpreh keqardhje. Nuk do ta keqpërdor këtë tribunë këtu për të dhënë përgjigje… Këtu jap përgjigje për Altin Troplinin dhe Irenën e me 5 mbiemra. Të tjerat ju garantoj se do i përgjigjem në seli,” tha ai.
Berisha konfirmoi përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë ngjarjes, duke sqaruar se askush nuk u lëndua:
“Po, janë përdorur mjete piroteknike që ju i quani bomba molotov, por askush nuk është plagosur prej tyre. Ishin dy zonja. Nuk duhej të ndodhte kurrë kurrsesi. Më thanë se ishte bërë qendër kulturore. Ajo mund të ishte muze i torturave çnjerëzore… Vetëm mendja e sëmurë e Ramës mund ta bënte atë qendër kulturore.”
Kjo deklaratë vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa SPAK vijon monitorimin e protestave dhe ngjarjeve të lidhura me përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë demonstratave opozitare.






