Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka reaguar ndaj akuzave pas publikimit të fotove në rrjetet sociale ku shfaqej me shall të kuq, simbol i pionerëve komunistë. Ai përmes një deklarate për mediat ka shpjeguar se mori pjesë në 80-vjetorin e Brigadës së Pestë, në nderim të prindit të tij, Maliq Sadushit, themelues të këtij formacioni luftarak. Kreu i KLGJ-së ka theksuar se një veprimtari përkujtimore për Luftën Antifashiste nuk është aktivitet politik, por një detyrim moral ndaj luftëtarëve të atëhershëm.
Fotot e tij me shallin e kuq kishin shkaktuar kritika dhe akuzat e opozitës për ndikim politik të kryetarit të Gjykatës së Lartë. Deputeti Flamur Noka i Partisë Demokratike kishte kërkuar masa ndaj Sadushit pas publikimit të këtyre fotove.
Reagimi i plotë:
Ka disa ditë që zëra publikë kanë shpërndarë në opinion fakte dhe qëndrime, të cilat janë larg së vërtetës në formulim, të njëanshme në shpjegim dhe të pasakta në interpretim, se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në një veprimtari që është e papajtueshme me funksionin e tij, si gjyqtar. Ndjehem i detyruar që në interes të transparencës me publikun dhe me dëshirën për të hedhur dritë në mënyrën e duhur, të sjell në vëmendje se:
Tri njësi administrative, bashkitë e Vlorës, Himarës dhe Selenicës, në datën 20 janar 2024, organizuan në mënyrë të përbashkët një veprimtari në kujtim dhe nderim të 80 vjetorit të krijimit të Brigadës së Pestë, një nga formacionet më të njohura luftarake shqiptare, pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, që ka kontribuar në çlirimin e vendit dhe ka luftuar në Kosovë e deri në Sanxhak të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë aktivitet jam ftuar mes qindra të tjerëve, me cilësinë e pjesëtarit të familjes së një prej themeluesve të kësaj brigade, babait tim Maliq Sadushi.
Ngjarjet e rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e kujtesës dhe trashëgimisë historike të të gjitha vendeve të rreshtuara në aleancën e madhe antifashiste të kohës. Askund dhe askush në këto vende nuk gjykon se nderimi i asaj përpjekjeje titanike të njerëzimit dhe botës demokratike ka të bëjë me ngjyrime ideologjike të lidhura me të sotmen.
Dita e çlirimit në Shqipëri apo 9 maji, dita e fitores mbi nazifashizmin që përkujtohet në të gjithë Evropën nderohen zyrtarisht nga ata që besojnë se antifashizmi është një vlerë morale e njerëzimit. Nderimi dhe solemniteti përballë veprës së atyre të rinjve, një pjesë e të cilëve edhe martirë, që morën pjesë në luftë, njëlloj si moshatarët e tyre antifashistë kudo në botë, është detyrim moral i gjithkujt, i çdo patrioti që do atdheun. Një akt historik nuk gjykohet, duke e njësuar atë me regjimin komunist që u instalua pas çlirimit të vendit dhe për këtë nuk mund të akuzohen edhe çlirimtarët antifashistë, që si qëllim patën veçse çlirimin e vendit të tyre.
Në këtë kuptim, pretendimi se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në veprimtari të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit është i gabuar dhe jo logjik. Pjesëmarrja në një veprimtari përkujtimore të Luftës Antifashiste, e cila nderohet sot në të gjithë botën demokratike, nuk cilësohet si angazhim në një aktivitet politik, e aq më pak të identifikueshëm me një parti të caktuar politike në Shqipëri.
Unë ndjehem plotësisht i përgjegjshëm dhe i përkushtuar ndaj detyrimeve të mia si gjyqtar dhe si qytetar, pjesë e të cilave është dhe mirënjohja për sakrificat që populli shqiptar bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Një sjellje e ndryshme nga ana ime, nëpërmjet mohimit të historisë së vendit dhe asaj familjare, do të duhej të shkaktonte më shumë shqetësim për personalitetin e gjyqtarit, sesa pjesëmarrja në aktivitetin që bëhet në nderim të luftës dhe kontributit të babait tim, të bashkëluftëtarëve të tij dhe të gjithë dëshmorëve të atdheut. Në përfundim të këtij shpjegimi të detyruar, gjej rastin të siguroj publikun se angazhimi im profesional në fushën e drejtësisë do të jetë i njëjtë, me përkushtim maksimal, të përditshëm e të ndershëm në misionin kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës.