25.5 C
Tiranë
Monday, September 23, 2024
spot_img

“Nuk ka parti më të hapur se sa parti që bazohet në garën”,Berisha mbledh fituesit e primareve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbledhur mesditen e kësaj të enjte në selinë blu fituesit e procesit të primareve. Ai e vlerësoi këtë proces, ndërsa tha se ky hap ka kthyer pluralitetin në gjirin e Partisë Demokratike, por jo vetëm.

“Për këtë sallë, për këtë seli, për PD, kjo është një ngjarje shumë e veçantë, kurrë ndonjëherë më parë, këtu nuk janë ulur kandidatë për qytetarë të parë për bashkinë e vendit. Është një zhvillim i vyer, i çmuar, në rrugën tonë të konsolidimit të vlerave dhe demokracisë. Ju keni dalë nga një garë, keni konkurruar me bashkëluftëtarët tuaj, keni dëshmuar në tërësi dinjitet, integritet, transparencë dhe me garën që keni bërë, keni transformuar dhe ridimensionuar pluralitetin në gjirin e PD, por dhe në Shqipëri në tërësi. Nuk ka parti më të hapur se sa parti që bazohet në garën, konkurrencën e lirë dhe të ndjeshme të zgjedhjeve të institucioneve të saj”, theksoi Berisha.
Ai theksoi se gara nuk ishte e përsosur, por padiskutim kjo për Berishën është risi e madhe për Shqipërinë.

“Nuk them se kjo garë ishte e përsosur, por këto që them sot janë risi të pamohueshme të sja dhe secili prej jush ka investimin në këtë realitet të ri të krijuar në PD, por dhe në Shqipëri. Ky është modeli më demokratik për një parti demokratike dhe për një vend demokratik”, theksoi Berisha.

Kryedemokrati bëri krahasime me Partinë Socialiste dhe tha se në selinë rozë gëlon ryshfeti dhe korrupsioni dhe nuk ka asnjë lidhje me interesin e qytetarëve.

“Aty gëlon ryshfeti, pengmarrja, aty përcaktojnë droga, krimi dhe banda. Anëtarësia e PS nuk ka më asnjë thënie, asnjë zë, tek qeveritarët e saj të ardhshëm”, tha Berisha.

Mes tjerash, Berisha porositi fituesit e primareve të punojnë fort që në zgjedhjet e 14 majit t’i rikthejnë qeverisjen vendore qytetarëve shqiptarë. Berisha theksoi gjithashtu që bashkitë duhet të kenë në fokus çdo komunitet dhe kërkoi nga kandidatët të tregojnë vëmendje të shtuar për çdo cep të territorit që ata do qeverisin.

“Ju kaluat një betejë elektorale për të hyrë në luftë. Qytetarët presin nga ju të bëni gjithçka, që dora juaj, që taksat e tyre të ndjehen në çdo skaj të territorit të bashkisë tuaj. Qytetarët, por dhe PD kërkon që Bashkitë tona t’i shndërroni në bashkitë e rinisë. Ju uroj sukses, së bashku me drejtuesit e PD, do punoni tani për këshillat, përpiquni të përfshini në këshillat tona, përfaqësuesit më të shquar, më emër-mirë të komuniteteve, përpiquni në parlamentin e bashkisë suaj të ndjehen të përfaqësuara komunitetet dhe të gjitha zonat në shkallën më të mirë të mundshme, nisni punën për programin, për ndërtimin e fushatës elektorale të fitores në bashkitë tuaja”, u shpreh Berisha.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT