Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në mesditë, kur një nxënës i shkollës 9-vjeçare Bajram Curri u plagos pranë ambientit të shkollës së tij. Ngjarja ndodhi në oborrin e shkollës, ku po kryhet rikonstruksioni i ish-shkollës së vjetër që po shndërrohet në shkollë profesionale.
Sipas informacioneve, nxënësi po luante me topin e tij kur ky ra pranë kantierit të ndërtimit. Kur ai tentoi ta merrte, materiale inerte i ranë mbi trup, duke e plagosur rëndë. Fëmija u dërgua fillimisht në spitalin e Kukësit nga mësuesit dhe bashkëmoshatarët, ndërsa më pas u transferua në Spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar.
Burimet raportojnë se në zonën e punimeve mungonin masat e duhura të sigurisë, gjë që bëri të domosdoshme izolimin e plotë të kantierit sot.
Inspektoriati i Punës ka ndërhyrë menjëherë, duke bllokuar punimet dhe vendosur shiritat e sigurisë, për shkak të mungesës së kushteve teknike dhe masave mbrojtëse. Ende nuk ka një raport zyrtar nga Policia e Kukësit, ndërsa hetimet për shkaqet e ngjarjes janë në vazhdim.
Kjo ngjarje rikthen fokusin tek nevoja për masa të rrepta sigurie në kantieret pranë institucioneve arsimore, për të parandaluar aksidente të tilla tek fëmijët.






