Forcat RENEA kanë zhvilluar një ditë më parë një operacion në tre qytete Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Operacioni mori shkas nga vrasja në Lushnje dhe ngjarjet e tjera kriminale që kanë mbetur pa autorë.
Ky operacion masiv ka vijuar gjatë gjithë natës teksa janë gjurmuar dhe ndjekur persona me pjesëmarrje aktive në aktivitete kriminale. Postblloqe ngritën për të kontrolluar gjithashtu personat që qarkullonin me automjete luksoze.
RENEA ka ushtruar kontrolle në biznese që frekuentoheshin kryesisht nga persona me rrezikshmëri të lartë.
Po ashtu janë ushtruar kontrolle nëpër banesa dhe janë ngritur pika kontrolli në këto qytete dhe në fokus kanë qenë kontrollet e makinave me xhama të zinj.
Janë sekuestruar sende të kundërligjshme dhe drogë të llojeve të ndryshme, armë zjarri dhe pajisë që përdoren për lotari të paligjshme.
Gjatë aksionit, janë vënë në pranga disa persona, si dhe është goditur një rast i ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit të lojërave të fatit.
Ditën e djeshme u arrestua edhe Astrit Seferi i cili ishte autor i plagosjes së katërfishtë në 2017 në Tiranë.
Astrit Seferi së bashku me vëllain e tij Arben Seferi dhe Viktor Gjergjin në vitin 2017 në Laprakë të Tiranës qëlluan drejt një lokali ku ndodhej Elion Leka me tre të tjerë. Leka kishte patur një konflikt para aktit me dy vëllezërit Seferi, dhe këta të fundit iu përgjigjenë duke e plagosur Lekën në shpatull dhe tre shokët e tjerë të cilët ishin ulur në tavolinë me të.