Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Kontigjenti”, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale dhe duke zbardhur dy sulme të mëparshme ndaj personave dhe pronës.
Gjatë ndjekjes policore u arrestua Perikli Doçi, 37 vjeç, i cili po lëvizte me një motomjet të dyshuar të vjedhur, pa targa dhe duke mbajtur maskë silikoni për fshehjen e identitetit.
Gjatë kontrollit, shërbimet e policisë sekuestruan sasi lënde shpërthyese të gatshme për përdorim, rreth 10 litra lëndë djegëse, një armë zjarri pistoletë me municion, si dhe motomjetin.
Nga hetimet rezulton se i arrestuari dyshohet të jetë autor i një sulmi me armë ndaj një banese më 3 tetor, si dhe i djegies së automjetit të përdorur. Po ashtu, më 17 tetor, ai dyshohet se ka hedhur lëndë plasëse në një tjetër banesë, duke shkaktuar dëme materiale.
Policia po vijon punën për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera ku mund të jetë përfshirë 37-vjeçari, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranë për veprime të mëtejshme.






