Një operacion i zhvilluar dje nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në pikën kufitare të Kapshticës ka përfunduar me arrestimin e pesë personave, mes tyre katër punonjës policie.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrolleve të kryera u arrestua drejtuesi i automjetit brenda të cilit u gjetën gjashtë kilogramë heroinë, ndërsa katër punonjës të policisë kufitare, përfshirë edhe një përgjegjës turni, u vunë në pranga për shpërdorim detyre.
Lënda narkotike ishte fshehur brenda automjetit që po dilte nga territori shqiptar.
Çështja, që rezulton të jetë nën hetim prej 2-3 vitesh, lidhet me një rrjet të dyshuar për transportimin e lëndëve narkotike përmes kufirit në Kapshticë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vazhdon hetimet për të zbuluar të gjithë përfshirësit dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë në këtë skemë kriminale.






