Dibër – Një operacion policor i koduar “Vendimi” ka çuar në arrestimin e shtetasit Klodian Llomi (Mazari), 35 vjeç, i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane. Llomi do të vuajë dënimin e mbetur prej 6 vitesh, 7 muajsh e 2 ditësh burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në Itali.
Gjatë ndërhyrjes, një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., është plagosur pas rrëzimit nga një mur rrethues dhe u transportua me helikopter drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme ‘Shqiponja’, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar ‘Vendimi’,” njofton Policia, duke shtuar se materialet procedurale janë kaluar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Ky operacion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për parandalimin e veprave kriminale dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.






