Muhabete pa lidhje i ka konsideruar kryeministri Edi Rama, akuzat dhe paditë ndaj Bajram Begajt në SPAK, se ka firmosur në tjetërsimin e pronave të ushtrisë.
Sipas Ramës në vendin tonë paditë janë kthyer në një sport kombëtar, të ngjashme me letrat anonime që dërgoheshin në kohën e diktaturës.
Rama u shpreh se puna do ta tregojë se pse Bajram Begaj ishte kandidati i duhur për postin e presidentit, që sipas socialistëve do të duhet të kthehet në binarët e kushtetueshmërisë.
“Këto janë muhabete pa lidhje fare, pasi padira në këtë vend ka shumë, janë një nga sportet kombëtare që janë zhvilluar shumë me proceset demokratike, më parë ishin përmes letrave anonime.
Nuk më bën fare përshtypje ky fakt. Jam këtu për të folur për herëtë fundit për këtë temë, iu kemi dhënë një shembull shqiptarëve se nuk jemi këtu për veten, jemi këtu me ta dhe për ta. Çdokush vlerësohet me rezultatet që arrin çdo ditë.
Nuk kemi pritur asesi që të kemi konsensus me të vdekurit, besoj se kemi arritur konsensusin me të gjallët”, u shpreh Rama jashtë Kuvendit.
Bajram Begaj është zgjedhur presidenti i 8 i Republikës së Shqipërisë, me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Kandidatura e tij u propozua dje nga socialistët dhe në më pak se 24 orë u konkludua dhe votimi i tij për postin e presidentit, detyrë të cilën do ta marrë pas datës 24 Korrik.
Në procesin e votimit këtë të shtunë, që përkonte dhe me raundin e katërt, pasi tre të parët u përmbyllën pa kandidaturë, morën pjesë 83 deputetë, ku PD bojkotoi seancën, që në nisje të saj.
Nga opozita votuan Mesila Doda, Shpëtim Idrizi, Nusret Avdullai, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho ndërsa në votime morën pjesë edhe tre deputetë të PSD.
Njëri prej opozitarëve ka dhënë mbështetjen e tij për Begajn, ndërkohë që kujtojmë se procesi i votimit ka qenë i fshehtë, dhe duket se ‘rrjedha’ e votës do të mbetet mister.
Votat kundër janë ato të LSI-së, të cilat u deklaruan që në nisje të kësaj seance nga kryetarja e kësaj force politike Monika Kryemadhi.