Parisi ka nderuar kolosin e letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, duke vendosur një pllakë përkujtimore në adresën 63 boulevard Saint-Michel, ku autori dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku shkroi disa nga veprat më të njohura.
Vendimi është marrë njëzëri nga Këshilli Bashkiak i Parisit, duke u cilësuar si një homazh emocionues jo vetëm për Kadarenë, por edhe për mbarë kulturën shqiptare. Ambasada e Shqipërisë në Francë ka falënderuar autoritetet franceze për këtë nder, duke e konsideruar një akt që promovon trashëgiminë kulturore të vendit tonë jashtë kufijve.
Përmes këtij gesti, Parisi i jep një vend të veçantë njërit prej emrave më të shquar të letrave shqipe, duke njohur kontributin e tij në letërsinë botërore dhe duke forcuar lidhjet kulturore mes Shqipërisë dhe Francës.






