Deputeti i Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferraj ka depozituar në Kuvend një kërkesë për seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Duke marrë shkas nga deklarata e ish kryepolicit Gledis Nano i cili tha se 14 eksponentë të botës së krimit i kishin shpëtuar arrestimit, Xhaferraj deklaroi se në seancë do të ftohet edhe ky i fundit.
“Bazuar në rregulloren e Kuvendit thërrasim në Komisionin për Sigurinë Kombëtare ministrin Bledi Çuçi. Pak ditë më parë Gledis Nano do të deklaronte se 14 eksponentë të botës së krimit i kishin shpëtuar arrestimit për arsye se operacionet dekonspiroheshin.
Kjo vinte 4 ditë pasi drejtori ishte shkarkuar. Thuhej që ishte shkarkuar për mosplotësim të objektivave ndërsa ambasada e cilësoi partner të SHBA.
Gledis Nano është dekoruar me medalje nga ish ministri Sandër Lleshaj. U shkarkua. Situata e rendit dhe kriminalitetit në vend është e rëndë. Krimin e kemi brenda policisë. Segmente të caktuara të krimit të organizuar brenda policisë. Në seancë dëgjimore kemi ftuar edhe Gledis Nanon”, tha ai.