Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Golem i Madh në Lushnjë në orët e vona të së dielës, ku tre persona kanë mbetur të plagosur pas një përleshjeje me mjete të mprehta.
Sipas burimeve policore, B.T. 58 vjeç, K.T. 20 vjeç dhe D.M. 37 vjeç po konsumonin alkool prej disa orësh në një lokal të zonës, kur një debat për motive të dobëta ka degjeneruar në dhunë fizike. Të tre janë goditur me thika, duke marrë plagë të shumta në trup.
Të lënduarit janë transportuar menjëherë në spitalin e Lushnjës, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Burime nga bluzat e bardha konfirmojnë se ata ndodhen në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Lushnjës ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa dyshohet se përplasja ndodhi nën efektin e alkoolit.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar përgjegjësitë individuale dhe për të sqaruar nëse ndonjëri prej të përfshirëve mbante armë të ftohtë në mënyrë të paligjshme.






