Tiranë – Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se viti 2025 shënoi një hap të rëndësishëm në konsolidimin ekonomik dhe fiskal të Shqipërisë, me një rritje ekonomike prej 3,9%, sipas tij një rezultat që reflekton efektet e reformave të ndërmarra.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Malaj theksoi se stabiliteti fiskal dhe disiplinimi makroekonomik kanë qenë kyç për performancën e ekonomisë, ndërsa projeksionet afatmesme parashikojnë një rritje prej 4%, mbi mesataren rajonale të Ballkanit Perëndimor prej 3%.
“Gjatë pesë viteve të fundit, PBB e ekonomisë shqiptare është rritur me rreth 20%, ndër më të lartat në rajon, dhe papunësia ka zbritur në 8,1%, niveli më i ulët historik në 30 vitet e fundit,” deklaroi ministri.
Ai nënvizoi gjithashtu rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, si dhe zbatimin për herë të parë të skemës së indeksimit të pagave në sektorin publik, me qëllim forcimin e fuqisë blerëse. Paga mesatare në sektorin publik është 1,026 euro, ndërsa në sektorin privat 785 euro.
Borxhi publik ka zbritur në 53% të PBB-së, ndërsa investimet e huaja direkte për 9-mujorin e vitit 2025 arritën 1.2 miliardë euro, niveli më i lartë historik për këtë periudhë, me rritje prej 51 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
“Rezultatet tregojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe e vendosin Shqipërinë në një pozitë konkurruese në rajon,” përfundoi Malaj.






