Policia e Shtetit ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur pak pas mesnatës së 14 shkurtit në zonën e Saukut, ku një 18-vjeçare u paraqit e plagosur me armë zjarri në spital.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 00:15 në spital është paraqitur e reja me iniciale N.K., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e shpejta hetimore dhe këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një hoteli në Sauk, ku e reja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri në gjoks.
Sipas policisë, 18-vjeçarja është transportuar drejt spitalit nga shtetasit Mirvete Rexhmati (Gjuta), 48 vjeçe dhe Elvir Gjuta, 24 vjeç.
Në vijim të hetimeve, janë arrestuar Vladimir Gjuta, 46 vjeç dhe Mirvete Rexhmati (Gjuta), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Sajmir Gjuta, Erisjaldo Gjuta dhe Elvir Gjuta, ndaj të cilëve rëndojnë po të njëjtat akuza. Për Erisjaldo Gjuten, 22 vjeç – i cili rezulton të jetë edhe i dashuri i 18-vjeçares – rëndon gjithashtu akuza për “Armëmbajtje pa leje”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.






