-0.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Presidenti amerikan merr mbështetje të fortë dypartiake në Kongres mbi kërkesën e tij të fundit për ndihma për Ukrainën

Presidenti amerikan  Joe Biden ka mbështetje të fortë dypartiake në Kongres mbi kërkesën e tij të fundit për ndihma për Ukrainën, që arrijnë në 33 miliardë dollarë, krahas 13.6 miliardë dollarëve në ndihma ekonomike, humanitare dhe ushtarake, të miratuara tashmë në fillim të këtij viti.

Në vizitat e zhvilluara së fundmi në Ukrainë dhe Poloni, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi njoftoi se Kongresi po punonte me shpejtësi për të miratuar kërkesën e presidentit, duke e quajtur paketën e ndihmës, një shumë të madhe parash që ligjvënësit ishin shumë krenarë ta ofronin.

Por një pjesë e vogël e ligjvënësve, që përfaqësojnë si të djathtën ashtu edhe të majtën, kanë ngritur shqetësime mbi zgjerimin e kompetencave të presidentit për të mbështetur një konflikt në Evropë.

Ndërsa Presidenti Biden e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i angazhojnë kurrë forcat tokësore në Ukrainë, për t’iu kundërvënë hapur Rusisë, sasia masive e mbështetjes ka ringjallur pikëpyetjet në lidhje me kompetencat presidenciale në raport me luftën dhe shtrirjen e përfshirjes amerikane jashtë vendit, pas dy dekadash lufte në Afganistan dhe Irak.

Dhjetë nga 206 republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve votuan kundër ligjit që e bën më të lehtë për Presidentin Biden të transferojë armë në Ukrainë. Asnjë demokrat nuk votoi kundër tij.

Ligjvënësi konservator Thomas Massie shpjegoi votën e tij kundër, duke thënë se gjuha e përdorur në ligj bënte një përcaktim shumë të gjerë mbi armët mbrojtëse.

Kongresi sapo autorizoi Presidentin të transferojë pothuajse çdo armë lufte, në Ukrainë, përveç një arme bërthamore”, shkruante ai në një postim në rrjetin social Twitter, duke shtuar: “E papërgjegjshme“.

Kundërshtarët e këtij ligji shprehën gjithashtu shqetësimin se fluksi i armëve në Ukrainë mund të shterojë rezervat e vetë Shteteve të Bashkuara. Ata thanë se ndihma masive për Ukrainën duhet të trajtohet më me kujdes ndërsa ekzistojnë shqetësime të brendshme për rritjen e kostove për shkak të inflacionit.

Presidenti Biden po kërkon miliarda të tjera në ndihma për Ukrainën, që mund të tërheqë ushtrinë tonë në një tjetër konflikt triliona dollarësh në anën tjetër të botës”, tha ligjvënësi Tom Tiffany në një deklaratë pas votimit.

Nëse ka diçka që na kanë mësuar dy dekadat e fundit, është se gjithmonë është shumë më e lehtë ta fusësh vendin në një konflikt të huaj, sesa ta nxjerrësh prej tij. Angazhimi ushtarak jashtë vendit, qoftë përmes dislokimit të personelit të SHBA-ve apo një lirie të pakushtëzuar veprimi mbi ndihmën ushtarake, është ndër vendimet më serioze që mund të marrë një udhëheqës amerikan. Është një hap që duhet ndërmarrë vetëm kur janë në rrezik interesa të qarta e jetike të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara“, shtonte ai.

Muajin e kaluar, 15 republikanë dhe dy demokratë progresistë votuan kundër ndalimit të importeve ruse të naftës dhe energjisë. Si republikanët ashtu edhe demokratët që kundërshtuan ndalimin, thanë se masa nuk mund të bëhej pa marrë parasysh ndikimin në Evropë dhe pa zhvilluar një strategji më të mirë për pavarësinë energjetike të SHBA-ve.

Javën e kaluar, katër demokratë progresistë dhe katër republikanë konservatorë votuan gjithashtu kundër një rezolute jodetyruese, që do t’i jepte administratës Biden mundësinë për të sekuestruar pasuritë e oligarkëve rusë.

Ligjvënësja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez shkruante në Twitter se oligarkët duhet të përballen me humbje të mëdha financiare, por ajo shtonte se votoi kundër ligjit, pasi ai i jepte Presidentit Biden kompetenca për të shkelur Amendamentin e 4-t të Kushtetutës amerikane, të konfiskojë pronën private dhe të përcaktojë se ku duhet të shkojnë të gjitha pasuritë e sekuestruara dhe pa proces të rregullt ligjor, sikurse shprehej ajo.

Amendamenti i Katërt i Kushtetutës garanton mbrojtje të pronës nga një kontroll i pamotivuar dhe sekuestrimi, që mund të ndërmerret nga ana e qeverisë. Zonja Ocasio-Cortez tha se projektligji “do të vendoste një precedent të ri të rrezikshëm në rast se presidentët e ardhshëm do të kërkonin të abuzonin me një zgjerim të kompetencave”.

Ligjvënësja Ocasio-Cortez dhe progresistë të tjerë e kanë mbështetur kryesisht qasjen e Presidentit Biden ndaj sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, ndërsa vazhdojnë të theksojnë se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për krizën.

Ligjvënësja demokrate Barbara Lee e ka mbajtur çështjen e kompetencave të presidentit mbi luftën pjesë të debatit publik për më shumë se dy dekada, që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Menjeherë pas këtyre sulmeve, Kongresi miratoi një ligj për përdorimin e forcës ushtarake (në Irak), duke i dhënë të drejtën presidentëve amerikanë të ndërmarrin veprime ushtarake.

Zonja Lee dhe ligjvënës të tjerë kanë vënë në dukje se presidentët e të dyja palëve e interpretuan këtë ligj aq gjerësisht sa arritën të ndërmarrin masa kundër individëve dhe grupeve që nuk ishin të përfshira drejtpërdrejtë në sulme dhe në disa raste, as që ekzistonin.

Në kushtet kur rreziku për përplasje me Rusinë është i të lartë, janë ngritur shqetësime nga disa ligjvënës se ndihma amerikane mund ta përshkallëzojë situatën. Zonja Lee, e cila e ka dënuar ashpër sulmin e Rusisë në Ukrainë, në një deklaratë shkruante se:

Jam e bindur në angazhimin e përsëritur të Presidentit Biden për të mbajtur personelin ushtarak amerikan jashtë çdo konflikti në Ukrainë. Nëse situata në vazhdim e detyron presidentin që krahas sanksioneve të marrë në konsideratë mundësinë e ndërhyrjen ushtarake, ai duhet të këshillohet me Kongresin përpara çdo autorizimi, bazuar në rezolutën mbi kompetencat e tij të luftës, të vitit 1973. Populli amerikan meriton të thotë fjalën e tij përpara se të përfshihemi në një tjetër konflikt të huaj“, shkruante ajo.

Por në Poloni këtë javë, zonja Lee e bëri të qartë se është në mbështetje të ndihmës amerikane për Ukrainën, duke e parë atë si një mjet kyç në ruajtjen e interesave të SHBA-ve jashtë vendit.

Ky është një moment historik, një moment përcaktues që vendos nëse bota do të bëjë përpara me parimet tona demokratike, apo pas, gjë që po përpiqet ta bëjë Putini”, u tha zonja Lee gazetarëve.

VOA

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT