5.5 C
Tiranë
Saturday, November 16, 2024
spot_img

Presidenti Biden ngre bashkëpunimin SHBA-Kore e Jugut-Japoni

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka lartësuar të premten bashkëpunimin mes Koresë së Jugut, Japonisë dhe SHBA-së, për luftimin e asaj që ai e quajti “bashkëpunim i rrezikshëm dhe përshkallëzues” mes Koresë së Veriut dhe Rusisë.

“Jam krenar sa larg kemi arritur”, tha Biden. “Ne e kemi trajtuar së bashku secilin problem”. Këto deklarata erdhën para takimit të tij në Peru me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, dhe kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba. Takimi u zhvillua në margjinat e samitit për Bashkëpunimin Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) në Peru, mes shqetësimeve të shtuara për partneritetin ushtarak në rritje midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, si dhe për shpeshtimin e testimeve të raketave balistike nga Pheniani.

Sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara, Koresë së Jugut dhe Ukrainës, rreth 12.000 trupa koreanoveriore janë dërguar në Rusi për të ndihmuar Moskën në rimarrjen e territoreve në rajonin kufitar të Kurskut, pas inkursionit të Ukrainës në gusht.

Zyrtarë të inteligjencës amerikane dhe koreanojugore raportojnë se Koreja e Veriut ka dhënë Rusisë sasi të mëdha municionesh. Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka urdhëruar gjithashtu një sërë testimesh raketore në prag të zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA, duke pretenduar se vendi i tij ka përparuar në ndërtimin e armëve që mund të godasin drejtpërdrejt SHBA-në.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë janë të shqetësuar se Pheniani mund të nërmarrë veprime më provokuese para përurimit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, dhe ditëve të para të administratës së tij në janar.

Presidenti Biden ndodhet për një vizitë gjashtëditore në Amerikën Latine për samitet e fundit të mëdha ndërkombëtare gjatë presidencës së tij. Pas APEC-ut, ai do të marrë pjesë në një mbledhje në Brazil me liderët e Grupit të 20 ekonomive kryesore, ku pritet të përballohet me pyetje nga liderët botërorë për administratën e ardhshme dhe kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT