Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” dy çiklistë të shquar shqiptarë Burhan Berisha dhe Agron Huqi.
Mesazhi i Presidentit Meta
“Jam i lumtur të vlerësoj kontributin e dy figurave të shquara të çiklizmit tonë, një prej disiplinave më të vjetra në historinë e sportit.
Çiklizmi është quajtur me të drejtë një sport popullor, i cili gjatë dekadave të fundit ka mbledhur sportistë amatorë edhe profesionistë, duke u bërë ndër disiplinat më të ndjekura.
Vlerat e këtij sporti të guximshëm, por dhe të bukur, janë një mjet i rëndësishëm, për të forcuar e shëndetit, për të gjitha moshat, por edhe për të njohur sa më mirë vendin edhe natyrën.
Me kënaqësi, sot i akordoj Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, zotit Burhan Berisha, çiklistit të palodhur dhe legjendar të ‘Dinamo’ dhe Ekipit Kombëtar.
Zoti Berisha është fitues i shumë garave dhe rretheve çiklistike, duke u bërë një nga kampionët e shquar në historinë e këtij sporti.
Në vitin 1973 fiton vendin e parë në klasifikimin individual, duke vazhduar dhe vitet e tjerë me fitore të shumta.
Ai për rezultatet e larta, në vitin 1988 renditet në 10 sportistët më të mirë të vitit dhe në vitin 1999 shpallet ‘Nderi i Sportit të Çiklizmit’.
Zoti Berisha ka drejtuar për disa vite Federatën Shqiptare të Çiklizmit dhe për 27 vite vazhdon të kontribuojë si gjyqtar i garave të çiklizmit, pranë ‘Federatës Shqiptare të Çiklizmit’.
Zoti Agron Huqi është gjithashtu një çiklist shumë i njohur dhe i talentuar i Klubit Sportiv Partizani dhe i Ekipit Kombëtar.
Ai është çiklist i shumë i sukseseve që në karrierën e tij mban titujt kampionë dhe rekord kombëtar, fitues i ‘Kupës së Republikës’ dhe ‘Medaljes së Artë’ në spartakiadën kombëtare.
Ai është fitues i garës me kronometër në turneun çiklistik në vitin 1985, si dhe është dalluar gjithmonë në garat e rezistencës.
Për sukseset e tij është nderuar me tituj e medalje nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, klubi sportiv ‘Partizani’ dhe mban Titullin ‘Mjeshtër i Merituar i Sportit’.
Përfitoj nga rasti për të falënderuar familjet e këtyre dy personaliteteve, që i kanë ndjekur dhe i kanë inkurajuar gjithmonë me përkushtim e tyre dhe në sakrificat që kanë bërë së bashku.
Mjeshtrit që vlerësojmë janë të njohur nga i gjithë opinioni sportiv, pasi me aktivitetin dhe sukseset e tyre, kanë arritur rezultate të shkëlqyera dhe na kanë bërë të ndjehemi krenarë.
Dua të falënderoj të gjithë përfaqësuesit e tjerë të disiplinës së çiklizmit, por edhe të gjithë dashamirësit nga fusha e sportit, dhe të vazhdojmë që përmes shembujve të tillë t’i nxisim të rinjtë që të merren më shumë me sport.
Sporti është një e mirë jo vetëm individuale, por është dhe një e mirë shoqërore dhe kombëtare në drejtim të cilësisë sportive të përfaqësimit të vendit, por njëkohësisht edhe në drejtim të shëndetit të rinisë sot!