Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka shprehur kritika ndaj Komisionit Evropian, duke e akuzuar për bllokimin e fondeve të Bashkimit Evropian për vendin e tij si “tentim për ta detyruar Poloninë të ndryshojë” qeverisjen e saj. Duda theksoi se është i hapur për negociata në lidhje me ndryshimet në sistemin e drejtësisë, megjithëse kundërshton verifikimin e ri të gjyqtarëve të emëruar gjatë mandatit të tij. Qeveria e re pro-BE e Polonisë ka premtuar përmirësime në fushën e sundimit të ligjit për të rikthyer qasjen në fondet e bllokut evropian.
Qeveria e mëparshme polake, e udhëhequr prej partisë nacionaliste, Ligji dhe Drejtësia, është përfshirë në mosmarrëveshje me BE-në lidhur me reformat e Varshavës në sundimin e ligjit, duke rezultuar me bllokim të fondeve të bllokut evropian në vlerë të miliarda eurove.
Qeveria e re pro BE-së është zotuar për të rikthyer qasjen në këto fonde, duke e përmirësuar fushën e sundimit të ligjit, ndonëse është duke hasur në rezistencë prej mbështetësve dhe aleatëve të pushtetit të kaluar, përfshirë Dudan dhe disa gjyqtarë të lartë.
“Nuk kam dyshim se cila ka qenë arsyeja e bllokimit të parave nga Komisioni Evropian. Ka qenë veprim i pastër politik kundër autoriteteve të kaluara polake”, ka thënë Duda në një konferencë për media në Vilnius.
“Tentim për ta detyruar Poloninë që t’i ndryshojë autoritetet, kështu e kuptoj unë, dhe kështu duhet kuptuar, dhe lëvizjet e fundit vetëm sa e konfirmojnë këtë”, ka shtuar ai.
Megjithatë, Duda ka thënë se është i hapur për negociata dhe propozime për ndryshime eventuale në sistemin polak të drejtësisë, mirëpo ai nuk do të lejojë verifikim të ri të gjyqtarëve që janë emëruar gjatë mandatit të tij.
Zgjedhjet e 15 tetorit të vitit të kaluar, i kanë dhënë fund qeverisjes tetëvjeçare të partisë Ligji dhe Drejtësia, dhe më pas është formuar qeveria e re, në krye me ish-presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.