Prokuroria e Tiranës pëmes një njoftim zyrtar ka bërë me dije se po vijon hetimet në lidhje me protestën e dhunshme, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, që u zhvillua në 8 në selinë e Partisë Demokratike.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TIRANË
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen hetime për çështjen penale me Nr. 182 të vitit
2022, për ngjarjen e datës 08.01.2022, të ndodhur në selinë e Partisë Demokratike.
Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultojnë të jenë arrestuar 34 persona, të dyshuar për
vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone” sipas nenit 150 të Kodit Penal, “Prishja e
qetësisë publike” sipas nenit 274 i Kodit Penal, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse,
djegëse dhe radioaktive” sipas nenit 282 te Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i
armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” sipas nenit 278 i Kodit Penal dhe “Prodhimi,
mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” sipas nenit 279 i Kodit Penal.
Po kryhen veprimet e duhura në drejtim të individualizimit të veprimeve të kryera nga secili
prej personave të arrestuar dhe personave të tjerë të përfshirë në veprime në kundërshtim me
ligjin.
Nga hetimet e deritanishme rezulton të jenë ngritur si pista hetimi:
– dhuna e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së dhe pasojat e ardhura si
shkatërrim prone,
– përdorimi i lëndëve të panjohura në drejtim të protestuesve para ndërhyrjes së policisë dhe
dhuna e ushtruar në drejtim të tyre,
– mbajtja e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve,
– si dhe çdo e dhënë tjetër e pretenduar deri në këtë fazë.
Hetimet vijojnë në mënyrë intesive në drejtim të marrjes së të dhënave me vlerë hetimore.
Po kryhen të gjitha veprimet si:
– sekuestrimet e pamjeve filmike në të gjitha ambientet me vlerë hetimore,
– marrja në pyetje e të gjithë personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes,
– si dhe çdo lloj veprimi tjetër që do dalë i nevojshëm nga dinamika në vijim.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është e angazhuar maksimalisht për kryerjen e hetimeve
me objektivitet si në çdo rast, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien
para përgjegjësisë penale të çdo personi që ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TIRANË