Në Shkup, qytetarët u mblodhën për herë të dytë brenda këtij muaji në një marsh protestues kundër ndotjes së ajrit. Me pankarta që mbishkrimet si “Duam ajër të pastër”, “E ardhmja nuk shihet nga smogu” dhe “Ajri ynë është helm, Qeveria jonë është e shurdhër”, ata shprehën shqetësimet e tyre për cilësinë e ajrit dhe ndikimin e tij në shëndetin publik. 
Protestuesit nisën marshimin nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, kaluan përpara Kuvendit dhe përfunduan para ndërtesave të Qytetit të Shkupit. Dy javë pas dorëzimit të kërkesave të para pas protestës së parë, ata theksuan se nuk kishin marrë ende përgjigje nga institucionet. 
Organizatorët, iniciativa “Qyteti i Gjelbër Human”, paraqitën katër kërkesa për luftimin e ndotjes së ajrit në Shkup:
1.Monitorimi i vazhdueshëm publik i objekteve industriale për të siguruar transparencë mbi ata që ndotin ajrin.
2.Ngrohja ekologjike e objekteve, si Klinika e Fëmijëve “Kozle”, e cila ende ngrohet me naftë.
3.Zgjidhja e autocentrizmit në qytet, duke prioritarizuar transportin publik dhe biçikletat para veturave.
4.Menaxhimi më i mirë i mbeturinave. 
Në protestën e mëparshme, më 10 dhjetor, qytetarët theksuan se ndotja e ajrit është shkak për 17.7% të vdekshmërisë së përgjithshme në vend. Agjencia e Kombeve të Bashkuara njoftoi se çdo i nënti rast vdekjeje te foshnjat në Maqedoninë e Veriut lidhet me ajrin e ndotur. 
Shkupi ka qenë vazhdimisht ndër qytetet më të ndotura në botë muajt e fundit, sipas kompanisë botërore IQAir, e cila mat cilësinë e ajrit. 
Në përpjekje për të adresuar këtë problem, më 23 dhjetor, autoritetet paralajmëruan një projekt që do të zbatohet në tri komuna të Shkupit: Aerodrom, Çair dhe Gazi Babë. Ky projekt përfshin 100 automjete elektrike që do të mund të shfrytëzohen nga institucionet qeveritare, kompanitë dhe qytetarët përmes një aplikacioni celular, me pagesë. Investimi për këtë projekt deri në vitin 2030 pritet të kushtojë rreth 30 milionë euro. 
Megjithatë, organizatat ekologjike qytetare e kundërshtuan këtë vendim, duke theksuar se është një hap në drejtim të gabuar. Sipas tyre, kjo iniciativë do të sjellë më shumë automjete në qytet, duke e penguar hapësirën tashmë të kufizuar. 
Në fillim të vitit 2024, Instituti i Shëndetit Publik publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18% e vdekshmërisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM2.5. 
Përveç Shkupit, edhe qytete të tjera si Manastiri, Tetova, Gostivari, Kërçova dhe Ohri kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10 gjatë stinës së dimrit. 
Në këtë kontekst, qytetarët e Shkupit vazhdojnë të kërkojnë veprime të menjëhershme nga institucionet për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të mbrojtur shëndetin publik.






