Paris Saint-Germain e ka nisur vitin 2026 me ambicie të qarta për të konsoliduar dominimin e saj, pas një viti 2025 historik të kurorëzuar me një gjashtëshe trofesh, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Kupën Ndërkontinentale.
Pavarësisht suksesit madhor, trajneri Luis Enrique vijon t’i qëndrojë besnik filozofisë së tij, duke investuar fuqishëm te të rinjtë dhe duke u dhënë hapësirë produkteve të akademisë pariziene. Pas emrave si Mayulu, Mbaye dhe Ndjantou, klubi ka hedhur një tjetër hap drejt ndërtimit të së ardhmes.
Sipas asaj që raporton “Les Titis du PSG”, klubi ka zyrtarizuar regjistrimin e dy lojtarëve të rinj premtues, Yanis Khafi dhe Noah Nsoki, në skuadrën e parë të Ligue 1 për gjysmën e dytë të sezonit 2025/26.
Të dy janë produkte të akademisë së PSG-së. Khafi, 19 vjeç, luan në mesfushë dhe ka fituar tashmë eksperiencë në nivel të lartë, duke regjistruar dy paraqitje me ekipin U-19 këtë sezon, me gjithsej 131 minuta lojë. Ndërkohë, Noah Nsoki, 18 vjeç, mesfushor ofensiv, ka spikatur me dy gola dhe një asist në shtatë ndeshje, në 383 minuta të luajtura me U-19.
Ky promovim nënvizon qartë strategjinë e PSG-së për të forcuar skuadrën jo vetëm me yje të afirmuar, por edhe me talente të rritura brenda klubit. Khafi dhe Nsoki pritet të jenë shpejt pjesë e rotacionit të ekipit të parë, duke i dhënë Luis Enriques alternativa të reja si në Ligue 1, ashtu edhe në arenën evropiane.






