Tensionet dhe përplasjet mes deputetëve nuk kanë të ndalur në seancën e sotme plenare. Një incident i papritur ndodhi në Foltore, ku deputeti Xhelal Mziu dhe kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, u përfshinë në një konflikt verbal dhe fizik.
Gjatë kohës kur Mziu mbante fjalimin e tij, Shehaj qëndronte aty pranë dhe ishte duke realizuar një lidhje live në rrjetet sociale. Ky veprim i Shehajt duket se shkaktoi nervozizëm te deputeti Mziu, i cili iu drejtua Shehajt me fjalët: “Pusho ti o papagall, o patericë e Qeverisë”. Tensionet u shkallëzuan kur Mziu tentoi ta godasë Shehajn me një shishe uji, ndërkohë që vazhdoi me ofendime të tjera ndaj tij. Kjo përplasje e ashpër ka shkaktuar reagime dhe ka tensionuar më tej atmosferën në Kuvend.






