Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë lidhur me bllokimin e TikTok, duke e cilësuar atë të panevojshëm dhe të vonuar.
Në podcastin e tij Flasim, Rama u shpreh se vendimi i gjykatës erdhi pasi çështja, sipas tij, ishte zgjidhur tashmë përmes masave të ndërmarra pas bllokimit të aplikacionit.
Sipas kryeministrit, vendimi për bllokimin e TikTok-ut ishte mbështetur nga rreth 95% e mësuesve dhe prindërve dhe kishte sjellë rezultate konkrete, pasi kompania kishte implementuar masa të reja për përdoruesit shqiptarë.
“Këtë javë Gjykata Kushtetuese mori vendim për TikTok-un kur në fakt nuk kishte më çështje. Pas bllokimit të aplikacionit, dhe sipas kërkesës së 95 për qind të mësuesve dhe prindërve, diskutuam me kompaninë që mori përsipër dhe implementoi një sërë masash të reja për ofrimin e shërbimit për shqiptarët”, tha Rama.
Ai theksoi se falë këtij vendimi janë vendosur filtra algoritmikë për moshën dhe për përmbajtje të dhunshme, të cilat, sipas tij, ofrojnë mbrojtje shtesë për fëmijët.
Rama kritikoi gjithashtu mënyrën se si trajtohen institucionet e drejtësisë nga opinioni publik, duke theksuar se kritika konstruktive është e nevojshme për përmirësimin e sistemit.
“Trajtimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve si ‘lule mos më prek’ nuk e përmirëson drejtësinë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është si kofini pas të vjelit”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se masa për bllokimin e aplikacionit ishte komentuar pozitivisht edhe në arenën ndërkombëtare dhe se nuk kishte pasur kundërshtime nga Bashkimi Evropian.






