Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK për dyshime lidhur me korrupsion dhe abuzim me tendera.
Vendimi pason konfirmimin nga Gjykata Kushtetuese, e cila la në fuqi vendimin për pezullimin e Ballukut. Si pasojë, ajo nuk do të mbajë më asnjë nga postet qeveritare.
Në vend të saj, në krye të Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës do të vendoset Enea Karakaçi, ndërsa detyrën e zëvendëskryeministres do ta marrë Albana Koçiu. Për të, në postin e Ministrit të Brendshëm do të zëvendësohet Besfort Lamallari, i cili më parë ka mbajtur detyra të tjera në kabinet.
Ndryshime të tjera në qeveri përfshijnë:
• Elisa Spiropali largohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, vendin e saj e merr Ferit Hoxha.
• Toni Gogu, ish-Ministër i Drejtësisë, zëvendësohet nga Besfort Lamallari.
• Erjona Ismaili merr postin e Ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke zëvendësuar Tonin Gogu.
• Pirro Vengu largohet nga Ministria e Mbrojtjes, detyrën e tij do ta marrë Ermal Nufi.
Lëvizjet e fundit vijnë pas kërkesës zyrtare të SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, e akuzuar për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit publik në Tunelin e Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Madhe. Seanca për dhënien ose jo të autorizimit për arrestimin e saj pritet të zhvillohet në ditët në vijim.
Ky ndryshim i gjerë i kabinetit shënon një rifreskim të rëndësishëm në ekzekutiv, ndërsa proceset hetimore dhe institucionale ndaj Ballukut mbeten në fokus të opinionit publik dhe mediatik.






