Pas Vlorës dhe Fierit, radha i ka ardhur Durrësit. Kryeministri Edi Rama ka përfunduar takimet me drejtuesit vendorë dhe deputetët e qarkut në këtë bashki bregdetare, ku sipas burimeve të sigurta, ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të bashkisë.
Vendimi i Ramës duket se është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë për “pastrimin” e administratës lokale dhe riorganizimin e strukturave në funksion të performancës dhe efikasitetit.
Kjo është hera e tretë radhazi që kryeministri ndërhyn drejtpërdrejt në administratën vendore, pas veprimeve të ngjashme në Vlorë dhe Fier, ku pas takimeve me drejtuesit vendorë, të gjithë drejtorët e bashkive përkatëse dhanë dorëheqjen.
Edhe pse nuk ka ende një deklaratë zyrtare nga Rama mbi këtë valë dorëheqjesh të kërkuara, mesazhi politik është i qartë: qeveria kërkon reformim të thellë dhe rezultate konkrete nga administrata vendore. Pritet të shihet nëse të njëjtën linjë do ta ndjekë edhe në qytetet e tjera të mëdha të vendit.






