Në takimin me furnizuesit e naftës, kryeministri Edi Rama, ka zbuluar zyrtarët që do të jenë pjesë e bordit që do të vendosë për çmimet e naftës dhe karburanteve të tjera në vendin tonë.
Rama tha se pjesë e bordit do të jenë ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ministrja Belinda Balluku, dy drejtorët e Tatimeve dhe Doganave, si dhe kreu i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba.
Nga ana tjetër do të jenë 5 përfaqësues nga vetë biznesi, të cilët sipas Ramës duhet të jenë pjesë e sakrificës për përballimin e luftës.
Rama tha se nëse një pikë karburanti do të ketë një çmim më të lartë se ai i miratuar nga Bordi, që do të funksionojë përmes një akti normativ, atëherë biznesi do të mbyllet nga shteti.
“Përmes një bordi kombëtar, ju dhe qeveria çdo ditë, ministrja e financave, e Infrastrukturës dhe enerfjisë, drejtori i tatimeve dhe doganave, dhe kreu i autoritetit të konkurencës, dhe 5 nga ju, do të jeni në një tavolinë.
Nëse dikush vendos një çmim që nuk është miratuar nga bordi, atëherë do të humbasë pikën e kaburantit. Unë besoj se liria ekonomike është themelore, dhe nuk i besoj shtetit që hyn për të rregulluar çmimet. Ajo që na kërcënon më shumë, nuk është çmimi, por mungesa e furnizimit.
Ne do të bëjmë transparencë të përditshme në lidhje me çmimin, që njerëzit ta kuptojnë që çdo qindarkë është aty”, tha Rama.