Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish me tone të forta ndaj sistemit të drejtësisë, duke sjellë shembuj që sipas tij janë “fakte të tmerrshme” dhe jo “bomba artizanale të propagandës qeveritare”.
Rama u shpreh se habiten edhe “mbështetësit më të verbër anglishtfolës” të reformës në drejtësi, kur një gjyqtar i thotë prokurorit “rëndoje dorën, se e ke të lehtë akuzën”, apo kur një gjyqtar Apeli jep një dënim më të rëndë se ai i shkallës së parë.
Sipas tij, shqetësues mbetet mungesa e reflektimit nga organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor. “Kur unë ngre shqetësime të kësaj natyre, këshillat përkatëse më përgjigjen me deklarata nervoze, me thirrje bajate për presion ndaj drejtësisë,” tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se ai nuk është “një aktor politik i zakonshëm”, por kryeministër i dalë nga vota popullore, duke nënvizuar se Partia Socialiste ka qenë, sipas tij, mbështetësja më e madhe e pavarësisë së drejtësisë.
“Para se të përdorin fjalën ‘presion’, është mirë të kujtojnë se ku ishin kur paraardhësi im e quante puçiste Prokuroren e Përgjithshme,” deklaroi Rama, duke shtuar se kritikat e tij janë mesazhe për përmirësim të sistemit dhe jo tentativa për ndërhyrje.
Në përfundim, ai u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë të fokusohen te përmbajtja e shqetësimeve të ngritura. “Merruni me mesazhin, jo me mesazherin,” u shpreh kryeministri.






