Pas uljes së nivelit të prurjeve, polumbarët kanë rinisur kërkimet për të gjetur gjurmë të të riut i cili teksa drejtonte një makinë me qera, dyshohet të jetë përplasur me parmakët e Urës së Mbrostarit dhe më pas ka rënë në lumin e Semanit.
Duke qenë se nuk ka patur asnjë denoncim për persona të tjerë të zhdukur, mendohet se 26 vjeçari ka qenë i vetëm në makinë. Që prej ditës së djeshme Mateo Lika nuk përgjigjet në telefon edhe pse familjarët e tij kanë tentuar ta kontaktojnë. Ndërkohë kërkimet për gjetjen e tij vështirësohen pasi makina që kishte marrë me qera nuk ishte e pajisur me GPS dhe kamerat e sigurisë nuk kanë një pamje të qartë të lëvizjes së të riut.
Deri më tani, është gjetur vetëm targa e automjetit të marrë me qera. Policia ka marrë në pyetje të afërmit e Mateo Likës për të mësuar lëvizjet e tij para se të zhdukej.