Në orët e para të 25 dhjetorit, Rusia ka realizuar një sulm masiv raketor ndaj Ukrainës, duke shënjestruar ndërtesa energjie dhe infrastrukturë të tjera civile. Autoritetet ukrainase raportuan se të paktën tre persona janë plagosur në rajonin verilindor të Harkivit, i cili u godit me raketa balistike ruse.
Guvernatori i Harkivit, Oleh Syniehubov, konfirmoi dëmet në infrastrukturën civile të rajonit, ndërsa kryetari i qytetit, Ihor Terekhov, tha se qyteti po përballej me një sulm masiv raketor dhe ende ka raketa që po lëshohen drejt tij.
Ministri ukrainas i Energjisë, Herman Halushchenko, njoftoi se Rusia po sulmonte sërish sektorin e energjisë, ndërsa operatori i sistemit të transmetimit po merrte masa për të kufizuar konsumimin e energjisë për të minimizuar dëmet. Rajoni i Dnipropetrovskit gjithashtu ka qenë nën sulm të masiv, ku forcat ruse po përpiqen të shkatërrojnë sistemin e energjisë të këtij rajoni.
Alarmet për sulme ajrore janë shpallur në mbarë Ukrainën, dhe raketat lundruese ruse të tipit Kalibr janë lëshuar nga Deti i Zi. Ky sulm është pjesë e një strategjie të vazhdueshme të Rusisë për të dëmtuar sektorin e energjisë të Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.






