Selena Gomez ka ndarë përvojat e saj nga fillimi i jetës martesore me producentin Benny Blanco, rreth dy muaj pas dasmës së tyre më 27 shtator në Santa Barbara. Në një intervistë për Apple Music me Zane Lowe, këngëtarja 33-vjeçare tha se martesa ka qenë shumë më e bukur se sa e kishte imagjinuar.
“Deri tani ka qenë si një ëndërr e vërtetë,” rrëfeu Selena, duke shtuar se çdo marrëdhënie ka sfidat e veta, por ajo ndihet e bekuar që këtë kapitull të ri të jetës e ndan me Benny-n, të cilin e përshkroi si “personin më të bukur për ta ndarë këtë udhëtim”.
Çifti, i cili konfirmoi lidhjen në dhjetor 2023 dhe u fejuan një vit më vonë, duket se po shijon momentet e para të jetës së bashku. Pas dasmës, janë parë në shëtitje romantike buzë detit dhe në postime të ëmbla në rrjetet sociale. Benny shpërndau një selfie me nusen, duke e quajtur “princeshë e vërtetë e Disney-t”, një detaj që emocionoi fansat.
Gomez ndau edhe momente humori dhe tensioni nga përgatitjet e dasmës, duke treguar se propozimi për martesë mund të mos kishte ndodhur sipas planit për shkak të lodhjes së saj gjatë xhirimeve, por gjithçka u vendos në vendin e duhur dhe tani ata po shijojnë muajt e parë të këtij kapitulli të ri.






