I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë Seno Fishta, ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, i cili e përfundoi rrugëtimin e tij të shtunën mbrëma pas një nominimi të hapur brenda natës përballë Kejsit dhe Kristit.
Në një intervistë për Top Albania Radio, Seno ndau detaje dhe reflektime mbi eksperiencën e tij brenda shtëpisë më të famshme në vend, duke u ndalur veçanërisht te raportet mes banorëve dhe dinamika e lojës.
I pyetur se kë mund të cilësonte si antagonist nga banorët, Seno u shpreh pa hezitim:
“I pari mendoj se është Kristi sepse nuk ka asnjë lloj batute dhe kënaqësie për publikun. Thjesht është në dridhje e sipër, asgjë. Hap panik, shqetëson të gjithë shtëpinë, nuk është se e bën lojën individuale me njerëzit.”
Sipas tij, pas Kristit vjen edhe Juxhini për anën negative të lojës. Seno tregoi se ka vënë re disa herë përpjekje për ta nxjerrë Ilirin nga vetja:
“E shfaqi katër ose pesë herë që donin ta nxirrnin nga vetja Ilirin. Ne aty në shtëpi duhet t’i marrim maksimumin e buzëqeshjes, plus edhe për publikun. Ka personazhe sa të duash me të cilët mund të bësh debat me argumenta.”
Ai përmendi gjithashtu Vrenozin, duke e quajtur “shërbetin e atij vendi”, ndërsa për Juxhinin shtoi se, duke qenë edhe patriot nga Korça, në shumë debate kishte menduar se ndoshta ai e ngacmonte Ilirin për ta bërë nervoz.
“Juxhini nuk hyn te të preferuarit e mi,” u shpreh Seno.
Gjatë bisedës, Seno pyeti moderatoret për profesionin e Juxhinit dhe, pasi Atalanta i konfirmoi se është aktor humori dhe teatri, ai komentoi:
“Nuk ma mbush syrin që… të garantoj që Vrenozi, pavarësisht se është aktor popullor, është i një kalibri tjetër në krahasim me Juxhinin.”
Deklaratat e Senos kanë ngjallur reagime të shumta në rrjet, duke rikthyer në vëmendje debatet dhe tensionet e krijuara brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania”.






