Vala e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare për mallrat dhe shërbimet, në nivelet më të larta në 15 vjet, mund të shërbejë si nxitje në zgjerimin e prodhimit vendas. Përpjekjet e para kanë nisur në prodhimin e inputeve bujqësore, teksa zinxhiri po mbështetet nga rritja e numrit të ofiçinave që prodhojnë makineri dhe pajisje për fabrikat. Kriza e çmimeve të larta mund të nxisë prodhimin në industrinë kimike, në prodhimin e detergjentëve, plehrave kimike, ushqimeve për bagëtinë, të cilat nuk kërkojnë shumë investime dhe atësi në burime njerëzore. Pajisjet dhe makineritë mjekësore, një perspektivë e re.
Rritja e fortë e çmimeve, që ka përfshirë njëherazi mallrat dhe shërbimet në të gjithë botën, ka të ngjarë të vërë në lëvizje zinxhirët e prodhimit në vendin tonë. Modeli i ekonomisë, i bazuar në konsum dhe import, do të detyrojë konsumatorin shqiptar të paguajë rritjen e çmimeve me origjinë të largët pa asnjë barrierë.
Por në disa sektorë si agroindustria, bujqësia dhe energjia, rritja e çmimeve mund të shërbejë si nxitje e mëtejshme për prodhim. Edhe pse çmimet e lëndëve të para janë rritur në të gjithë botën, Shqipëria mund të shfrytëzojë disa mundësi që ofron tregu vendas, ku hapësirat për manovra janë të mëdha, ku mjaftojnë vullneti dhe disa ide.
Sektori i bujqësisë dhe agropërpunimi paraqet potencialin më të madh, si dhe energjia elektrike, nëpërmjet shfrytëzimit të energjisë diellore. E ashtuquajtura rritje e çmimeve në Shqipëri udhëhiqet nga ushqimet dhe kryesisht nga disa artikuj që prodhohen në vend. Për shembull, në muajin gusht, çmimet shënuan rritje të përgjithshme prej 2.4%, nga 1.3% që ishte ky ndryshim në gushtin e vitit 2020.
Grupi i ushqimeve kontribuoi me 66.6% të rritjes, çmimet e naftës ishin kontribuuesi i dytë më i madh, ndërsa grupet e tjera patën ndikim më të ulët. Ushqimet kanë ndikim të lartë te çmimet, pasi rreth 41.6% e buxhetit mujor të familjeve shkoi për ushqimet më 2020, raportoi INSTAT. Tek grupi i ushqimeve, nxitësi kryesor i inflacionit janë frutat dhe perimet, për të cilat prodhimi vendas mund të zgjerohet më tej.
Alban Zusi, i cili operon në industrinë ushqimore, dhe së fundi po prodhon inpute për bujqësinë, tha se prodhimi bujqësor mund të nxitet më tej duke përmirësuar ciklin e prodhimit në inpute, plehra kimike dhe ushqime për kafshët.
Shqipëria është një treg i vogël, por disa cikle të prodhimit mund të përmirësohen. Këto cikle nuk kërkojnë investime të mëdha dhe aftësi të larta të burimeve njerëzore. Industria kimike dhe ajo mekanike mund të zgjerohen në prodhim. Zusi tha se prodhimi i detergjentëve dhe plehrave në bujqësi ka hapësirë për rritje. Industria e mekanikës, mund të zgjerohet, nisur nga përvoja e mirë e trashëguar nga e kaluara, duke prodhuar makineri, pjesë, apo impiante për fabrikat.
Vangjel Rula, i cili zotëron një ofiçinë në ambientet e kombinatit metalurgjik, tani po prodhon makineri për kompaninë amerikane, “General Elektrik”. Zoti Rula, me përvojë shumëvjeçare në këtë fushë, ka kapacitet të prodhojë impiante dhe makineri për fabrikat. Ai tha se, kërkesa nga tregu vendas po rritet.
Një biznes i ngjashëm në Divjakë prodhon të gjithë impiantin që i duhet një fabrike qumështi. Zoti Pirro Buli, i cili drejton këtë sipërmarrje nga 2007-a, dhe se është rritur interesi nga industria ushqimore për t’u zgjeruar në prodhim. Kohët e fundit ai tha se, ka kërkesë të lartë për impiantet e kantinave të prodhimit të verës.
Të nxitur nga çmimet e larta, fermerët në Lushnjë po mbjellin grurë, por..
Ilir Mile, fermer me përvojë në zonën e Fierit tha se, të nxitur nga çmimi i lartë në tregjet ndërkombëtare, shumë fermerë në zonën me prodhuese të vendit, Fier dhe Lushnjë janë bërë gati të mbjellin grurë. Një kuintal grurë këtë vit u shit nga fermerët shqiptarë me mbi 3000 lekë, nga pak më shumë se 2000 lekë vitin e kaluar, ndërkohë që çmimet e perimeve ishin të njëjta.
Të nxitur nga kjo rritje, shumë fermerë po mbjellin grurë, për vetëkonsum dhe për tregtim. Mile tha se çmimet e zarzavateve shpesh nuk po mbulojnë kostot dhe bujqit nisën të mbjellin kultura që kanë çmim të lartë për momentin. Por Adi Haxhiymeri, i cili kryeson Shoqatën e Industrialistëve të Miellit, tha se, tentativa për të mbjellë grurë nisur nga çmimet e larta të këtij viti, ka gjasa t’i përballë ato me humbje, pasi çmimi i grurit mund të pësojë ulje vitin që vjen. Ndryshe nga gazi dhe nafta, ku prodhimi kontrollohet, kultivimi dhe rendimenti i grurit zakonisht diktohet nga klima. Ai tha se, kriza e çmimeve si këto të tanishmet, ndodhin një herë në 12 vite.
Studimet e deritanishme tregojnë se, bujqësia shqiptare është konkurruese në prodhimin e perimeve dhe zarzavateve për shkak të avantazhit klimatik që i nxjerr prodhimet shqiptare në tregje me herët. Po Haxhiymeri tha se qeveria shqiptare mund të zhvillojë një strategji për kultivimin e drithërave. Megjithëse copëzimi i lartë i tokës dhe mungesa e subvencioneve nuk i bëjnë konkurruese prodhimet tona, qeveria mund të nxisë prodhimin e misrit për kafshë. Gjithashtu mund të prodhohen edhe lloje të grurit cilësor.
Vetëm nëse mund të ketë një strategji të mirëdrejtuar nga qeveria, që të lehtësojë kostot për fermerët dhe të garantojë çmimet, industrialistët e miellit mund të lidhin kontrata me prodhuesit vendas. Prodhimi i drithërave në vitin 2020 ishte 684.023 tonë, duke shënuar rritje me 2,61%, në krahasim me një vit më parë, por kryesisht është për vetëkonsum dhe për bagëtitë.
Nis prodhimi i inputeve bujqësore
Një kuintal Dap (plehu kimik) më i thjeshti, aktualisht në tregjet e pakicës, kushton 8500 lekë nga 6000 lekë sezonin e kaluar. Cilësia më e lartë kushton më shumë se 10,000 lekë për kuintal. Nga sezoni i kaluar, çmimet e plehrave kimike janë rritur më shumë se 50% dhe sinjalet për rritje janë edhe më të mëdha. Kostot e prodhimit në bujqësi janë rritur ndjeshëm në një kohë që çmimet me shumicë të perimeve janë shumë të ulëta, ku kilogrami i trangullit dhe kungullit aktualisht nuk është më shumë se 20 lekë. Gjatë 8-mujorit 2021 u importuan gjithsej 4 miliardë lekë plehra për bujqësinë (32 milionë euro).
Një shumë e ngjashme u shpenzua për importin gjithëvjetor të vitit 2020. Aktualisht, tregu i plehrave për bujqësinë, zotërohet nga 60 kompani importi, por kanë nisur përpjekjet për prodhimin në vend.
Alban Zusi tha se Shqipëria trashëgon përvojë në industrinë kimike. Prodhimi i plehrave kërkon përzierje të disa elementeve dhe mund të realizohet, duke i importuar këto elemente jashtë vendit dhe në Shqipëri të bëhet vetëm procesi i përzierjes.
Plehrat zënë pjesën më të madhe të kostos në Bujqësi dhe prodhimi i tyre në vend do të ishte në vetvete një biznes me fitim dhe një ndihmë e madhe për fermerët. Vetëm nga eliminimi i kostove të transportit, prodhimi i tyre në Shqipëri do të ishte konkurrues, tha Zusi i cili ka nisur të prodhojë ushqime për kafshët në një fabrikat e tij. Ai e konsideroi sukses, biznesin e prodhimit të ushqimit të kafshëve, treg i cili aktualisht tha se dominohet nga Serbia.
Çmimet e bulmetit në Shqipëri nuk janë konkurruese, jo vetëm për faktin e mungesës së subvencioneve në bujqësi, por edhe për shkak të kostos të lartë që krijon importi i bazës ushqimore për fermat e kafshëve. Zusi tha se tashmë ka disa klientë që furnizohen nga fabrika e tij, kryesisht ushqim për shpendë, çmimi i të cilit është 30% më i lirë se importoi.
Prodhimi vendas, si barrierë për çmimet e importit
Altin Prenga, i cili krijoi markën e njohur të agroturizmit “Mrizi i Zanave”, është modeli se si nxitja e prodhimit vendas dhe realizimi i ciklit të mbyllur për furnizimet e restorantit të tij e mbron nga rritja e çmimeve që po vjen nga tregjet ndërkombëtare. Prej vitesh, z. Prenga ka investuar në ngritjen një njësie agropërpunimi, bulmeti, frutash dhe mishi, e cila furnizohet nga banorët e zonës. Në këtë mënyrë, ai ka nxitur mbjelljen në fusha, kultivimin bio dhe disa prodhime të tjera artizanale që shërbejnë si suvenirë.
Vitet e fundit, z. Prenga po kultivon edhe orizin si një nga ingredientët kryesorë të tavolinave shqiptare. Ai pohoi se për momentin, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk e ka prekur biznesin e tij, por shtimi i kërkesës, i nxitur nga turistët e huaj, ka ndikuar në një shtrenjtim jo të zakontë të çmimit të mishit, sidomos për bagëtitë e imta. Dihet se prodhimi në bujqësi është i vështirë, por punimi i tokës, qoftë edhe për vetëkonsum në kohë krize, është një mbrojtje shumë e mirë u shpreh z. Prenga.
Rrjeti i njësive të agroturizmit dhe restoranteve me bazë mishin si gatim, sipas tij, e ka nxitur se tepërmi kërkesën për bagëti. Nga ana tjetër, mbarështimi i bagëtive po vjen në rënie. Vitin e kaluar, numri i krerëve të bagëtive shënoi rënie dyshifrore. Të dhënat e INSTAT raportojnë se numri i të leshtave ishte 1,5 milionë krerë më 2020, duke shënuar rënie me 11,40%, krahasuar me vitin 2019. Rënie me 10.5% shënoi edhe numri numri i dhive 10,2% dhe gjedhi mbi 12% brenda një viti. Bagëtitë po pakësohen me shpejtësi, teksa kërkesa për mish po rritet vit pas viti prej rritjes së numrit të turistëve, duke sjellë në këtë mënyrë edhe rritje të çmimeve.
Detergjentët, hapësira për prodhim në vend
Kompania e prodhimit të detergjentëve, Deka, po rritej me shpejtësi në fillim të viteve 2000, por marrëveshjet e tregtisë së lirë e bënë jokonkurruese. Prej atëherë, njësia e prodhimit hasi në vështirësi, por tani kur kostot e transportit dhe prodhimit po rriten me shpejtësi prodhimi vendas ka perspektivë. Vitin e kaluar, importet e sapunit dhe detergjentëve arritën në 8,1 miliardë lekë (67 mln euro) me një rritje vjetore mbi 7%.
Tregu vendas mund të zhvillojë disa procese të kësaj industrie, për të prodhuar lëndën finale në treg, – tha Alban Zusi nga Shoqata e Eksportuesve. Më shumë se 80% e detergjentit dhe sapunit të lëngshëm është ujë. Duke importuar lëndën e parë dhe duke realizuar procesin e përzierjes në Shqipëri, një pjesë e detergjentëve mund të prodhohet në vend, duke shmangur, në këtë mënyrë, kostot e larta të transportit. Duke realizuar prodhimet në vend, volumet e importit të detergjentëve do të uleshin me mbi 60%. Zusi tha se këto procese nuk kërkojnë aftësi të larta, pasi tashmë në tregje ka makineri dhe formulat e përzierjes janë të automatizuara.
Kërkesa dhe çmimet e larta po nxisin prodhimin e makinerive në vend
Kompania “Europa”, një ofiçinë e madhe në ambientet ish-kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ka prodhuar portat e hidrocentraleve të Moglicës dhe Banjës, tuba dhe pajisje të tjera për kontraktorët e Stakraft në investimin e madh të dy HEC-eve në lumin Devoll. Tani kompania po prodhon porosi të dedikuara për kompaninë amerikane “General Electric”, teksa bën porosi edhe për kompani të njohura në tregun ndërkombëtar.
Vangjel Rula, i cili zotëron njësinë e prodhimit të makinerive tha se, më së shumti ka prodhuar pajisje për hidrocentralet. Ndërtimi i HEC-eve të vogla që u dhanë me koncesion vitet e fundit e ka rritur kërkesën për mjete e makineri, një pjesë të cilave prodhohen në vend. Zoti Rula mendon të zgjerojë aktivitetin e tij, pasi përveç tregut vendas, kërkesa për porosi jashtë vendit po rritet. Ai tha se, së fundmi ka kërkesë për makineri nga industria ushqimore.
Një makineri e quajtur Sillos, e cila u shërben fabrikave të përpunimit të ushqimit e blerë te z. Rula nga një prej fabrikave shqiptare, kushtoi 70% më lirë se nga importi. Fabrikës i kushtonte 30 mijë euro silosi i importit, teksa z. Rula e prodhoi me një të tretën e çmimit. Rritja e çmimit të hekurit dhe inoksit i ka rritur kostot, por prodhimi vendas i makinerive mbetet konkurrues për shkak të eliminimit të transportit. Një portë që kompania “Europa” prodhoi për HEC-Moglicën peshonte më shumë se 35 tonë dhe kosto e transportit të saj nga jashtë mund të tejkalonte vlerën e portës.
E drejtuar nga një grup inxhinierësh dhe mekanikësh profesionistë, kompania “Europa” ka prodhuar të gjithë impiantin e fabrikës të prodhimit të çimentos në Qafë-Zotaj. Ai tha se kërkesa po rritet, por shtoi se gjetja e punonjësve po shndërrohet në një problem çdo ditë e më shumë. Kompania “Europa” i përgatit vetë mekanikët e saj, por emigracioni është shndërruar në një fenomen shqetësues.
Linjat e inoksit për fabrikat e qumështit dhe verës prodhohen në Divjakë, kërkesa në rritje
Pirro Buli u kthye në vitin 1997 nga emigracioni dhe ndërtoi në Divjakë biznesin e tij të bazuar në prodhimin e impianteve për industrinë e ushqimit. Aktualisht, njësia e zotit Buli arrin të ndërtojë të gjithë linjën e impiantit për një fabrikë qumështi. Ai tha se makineritë e fabrikës i shërbejnë industrisë së agropërpunimit.
Së fundmi janë rritur porositë për impiantet e prodhimit të verës, disa pajisje inoksi të cilësisë së lartë. Kërkesa në tregun vendas nxitet kur rriten subvencionet në bujqësi, por vitin e fundit tha ai, njësitë e agropërpunimit morën mbështetje nga fondet e IPARD, dhe kërkesa për makineri u rrit. Përveç tregut vendas, Buli çon porosi edhe jashtë.
Tregu i prodhimeve të mekanikës, plotëson një pjesë të rëndësishme të zinxhirit të prodhimit në vend, që ka edhe koston më të lartë në njësi prodhimi. Makineritë dhe pajisjet ishin grupi i tretë më i importuar në vend me 44 miliardë lekë në vitin 2020. Prodhimi i një pjese të këtij tregu në vendin tonë e ngre në nivel tjetër ekonominë shqiptare. Mekanika dhe prodhimi i makinerive është një biznes me vlerë të lartë.
Janë rreth 7 biznese të ngjashme në të gjithë vendin, të cilat më së shumti janë të organizuara si ofiçina që bëjnë porosi të posaçme. Mirëpo këto biznese mund të shfrytëzojnë trendin e ri të çmimeve për të zgjeruar prodhimin si në import dhe tregun vendas, për shkak të përvojës pozitive që kanë krijuar.
Kriza e Covid-19, si një mundësi për prodhimin vendas
Kushtet e reja ekonomike dhe gjeopolitike të krijuara nga pandemia mund të kthehen në një burim mundësish për ekonominë shqiptare, nëse grupet e interesit dhe qeveria do të mund t’i shfrytëzojnë këto shanse pa humbur kohë. Duke qenë pjesë e Europës, me një popullsi ende të re në moshë, me përvojë të gjatë në industrinë fason, Shqipëria mund të kthehet në fabrikën e Europës për prodhimin e veshjeve mjekësore, duke zëvendësuar furnizimet në ato vende që po rishikojnë marrëdhëniet tregtare me Kinën.
Në afat të mesëm, mundësitë për të diversifikuar dhe për të rritur vlerën e shportës së eksporteve dhe shërbimeve mbeten të larta, duke shfrytëzuar orientimin e kërkesës së re brenda kontinentit europian dhe avantazhin konkurrues nga kostot e ulëta të punës. Ekonomistët, bizneset dhe institucionet financiare ndërkombëtare bien dakord se Shqipëria mund të shfrytëzojë kushtet e reja, në të cilat ndodhet ekonomia globale, duke orientuar prodhimin drejt produkteve me vlerë të lartë dhe duke zgjeruar më tej gjeografinë e eksporteve.
Florian Zekja, nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve tha se, në 10 vitet e ardhshme do të ketë kërkesë të lartë për maska dhe veshje mjekësore për spitalet.
Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, sugjeroi se qeveria duhet të ketë një strategji të rritjes së eksporteve, për të parë se sa vendi ynë mund të jetë potencial për prodhimin e tyre për sa më shumë vende.
Struktura e ekonomisë shqiptare dominohet në më shumë se 40% të saj nga sektorët e bujqësisë, tregtisë dhe ndërtimit. Industria përpunuese zë 6,1% të saj. Banka Botërore, në një analizë të thellë, që i bëri profilit të ekonomisë shqiptare në mars të këtij viti, tha se ka hapësira shumë të mëdha për të rritur vlerën e prodhimeve të bujqësisë dhe të fabrikave, të cilat do ta bëjnë më të qëndrueshme rritjen ekonomike të vendit. Pajisjet mjekësore dhe ushqimet janë produkte që kanë tregun e garantuar gjatë kësaj dekade, ndaj politikat mbështetëse duhet të nxisin këta sektorë.
Pajisjet dhe makineritë mjekësore, një perspektivë e re
Shqipëria, vitet e fundit, ka nisur të zhvillojë prodhimin e pajisjeve kabllore për industrinë automative për klientët gjermanë, koreanë dhe francezë. Të nxitura nga pandemia, fabrikat e automjeteve në të gjithë botën kanë krijuar përshtatje për prodhimin edhe të pajisjeve mjekësore dhe respiratorëve. Fabrikat shqiptare, me të njëjtën lehtësi që prodhojnë kabllot, mund të prodhojnë edhe tubat dhe maskat oksigjenike dhe pjesë të respiratorëve, që nuk kërkojnë aftësi dhe investime të mëdha.
Edhe pa ndodhur pandemia, aplikimet për patenta që kanë të bëjnë me shpikjet e aplikacioneve dhe teknologjisë mjekësore kanë qenë të larta në Europë.
Qendra Europiane për Nxitjen e importeve nga Vendet në Zhvillim analizoi së fundmi se ka një trend në rritje për nënkontraktime në vendet në zhvillim. Trendi i nënkontraktimit për furnizime të sektorit shëndetësor po nxitet kryesisht nga nevoja e prodhuesve europianë për ulje të kostove të punës dhe energjisë. Shumica e nënkontraktimit për vendet në zhvillim kanë të bëjnë me produkte me vlerë të ulët, që i duhen sektorit të shëndetit. Por standardet e menaxhimit të cilësisë si certifikatat ISO dhe CE ndihmojnë në krijimin e besimit me partnerët europianë.
Një shembull i bashkëpunimit midis kompanive të krijuara europiane nga njëra anë dhe kompanive nga vendet në zhvillim, nga ana tjetër, është Medtronic, kompania më e madhe në botë e pajisjeve mjekësore me seli në Irlandë, duke bërë partneritet me kompani më të vogla, sipërmarrëse në vendet në zhvillim.
Sektori i prodhimit në fabrika në Shqipëri është në zgjerim. Fabrikat kontribuojnë në 10% të punësimit të përgjithshëm. Pjesët e automobilave dhe veshjet janë të integruara më mirë në tregjet ndërkombëtare, duke zënë më shumë se një të katërtën e eksporteve.
Fasoni, para një shansi të ri
Sektori fason është para një shansi të ri për të rritur fitimet nga kërkesa e re që imponohet gjatë kësaj dekade, por edhe në vijim. Florian Zekja, nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve, tha se aktualisht Europa, por edhe mbarë globi, kanë deficite të larta për maska, veshje mjekësore dhe spitalet. Nga njëra anë, magazinat dhe stoqet janë boshatisur, ndërsa në anën tjetër, kërkesa e re është shumëfishuar për shkak të pandemisë.
Kjo situatë ka nxitur përshtatjen e disa fabrikave në vendin tonë për të prodhuar artikuj të veshjeve spitalore. Ai tha se shumë klientë italianë dhe gjermanë, të cilët furnizoheshin me veshje pune në Shqipëri, kanë nisur të porosisin edhe maska pune. Por Zekja tha se për të përshtatur industrinë shqiptare me kërkesën e re duhen certifikime. Maskat dhe çarçafët për përdorim spitalor duhet të kenë disa certifikime specifike, që kërkojnë kohë dhe procedura./Monitor