7.5 C
Tiranë
Friday, March 13, 2026
spot_img

SHBA nuk dorëzohet/ “Do të gjejmë një mënyrë për të evakuar amerikanët e mbetur në Afganistan”

Të dielën një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të gjejnë një mënyrë për të nxjerrë nga Afganistani amerikanët e mbetur atje, nëse ata duan të largohen. Por një ligjvënës i lartë republikan për çështjet me jashtë tha se kryengritësit talebanë po bëhen pengesë për futjen e amerikanëve në aeroportin e Kabulit.

Shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Ron Klain tha për rrjetin televiziv CNN se zyrtarët amerikanë besojnë se rreth 100 amerikanë ndodhen ende në Afganistan që nga tërheqja përfundimtare e ushtrisë amerikane rreth një javë më parë. Më 30 gusht SHBA i dha fund luftës gati 20 vjeçare kundër terroristëve të al-Kaidës dhe talebanëve.

“Ne do të gjejmë mënyra për t’i nxjerrë ata nëse duan të largohen me gjasë përmes rifillimit të fluturimeve për në Katar”, tha zoti Klain. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do t’i vazhdojnë përpjekjet për të ndihmuar ata afganë që bashkëpunuan me trupat amerikane.

Por një ligjvënës kryesor i opozitës, Michael McCaul, republikani kryesor në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tha për rrjetin televiziv Fox News se bazuar në njoftimet e agjencive amerikane të zbulimit numri i amerikanëve që vazhdojnë të jenë në Afganistan llogaritet në disa qindra. Sipas tij, që nga momenti që SHBA përfundoi misionin asnjë qytetar amerikan nuk është evakuuar nga Afganistani.“Talibanët po parashtrojnë kërkesa dhe nuk po lejojnë fluturimin e aeroplanëve”, tha zoti McCaul.

Ai tha se talebanët “po kërkojnë në këmbim”, njohjen e plotë të qeverisë së tyre nga ana e Uashingtonit.

“Ky nuk është një grup taleban i ri dhe i përmirësuar”, tha zoti McCaul, duke e krahasuar me sjelljen e tyre në 2001 kur SHBA-ja e rrëzoi nga pushteti grupin në fjalë, duke vënë në shënjestër terroristët e al-Kaidës të strehuar nga talebanët, përgjegjës për planifikimin e sulmeve të 11 shtatorit në SHBA ku si pasojë u vranë rreth 3,000 njerëz.

Ai tha se disa përkthyes afganë, të cilët ndihmuan trupat amerikane gjatë luftës, dhe po kërkojnë të largohen nga vendi, janë kthyer mbrapsht në aeroportin e Kabulit e janë detyruar të kthehen në shtëpi, për të parë se si ekzekutohen nga talebanët anëtarët e familjeve të tyre, disa me prerje kohe, përpara se vetë ata të pësojnë të njëjtin fat. Por zoti Mccaul nuk dha ndonjë shifër se për sa vetë bëhej fjalë.

“Unë kam thënë gjithmonë se Presidenti Joe Biden i ka duart e lyera me gjak”, tha zoti McCaul.

Pasi SHBA tërhoqi trupat e saj të fundit nga Afganistani javën e kaluar, Presidenti Biden mbrojti me forcë tërheqjen që siguroi nxjerrën nga ai vend të 98% të amerikanëve duke e cilësuar si “sukses të jashtëzakonshëm”.

Presidenti Biden ka thënë shpesh se ai ka qenë dhe është kundër një “lufte pafund” në Afganistan.

Sondazhet kombëtare në Shtetet e Bashkuara tregojnë se amerikanët e mbështesin vendimin e zotit Biden për t’u larguar nga Afganistani, por jo përfundimin kaotik të operacioneve atje. Në ditët kur prania e trupave amerikane po reduktohej, një sulm i përgjakshëm shkaktoi vdekjen e 13 ushtararëve amerikanë. Përgjegjësinë për sulmin e mori ISIS-K, degë e organizatës terroriste e vetëquajtur Shteti Islamik që operon në Afganistan.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Mazhoranca rrëzon kërkesën e SPAK, opozita bllokon foltoren dhe Rama largohet me urgjencë

0
Me 47 vota “pro” dhe 82 kundër, Kuvendi i Shqipërisë vendosi sot rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit...

Diplomatët ndërkombëtarë “bojkotojnë” seancën për imunitetin e Ballukut, lozhat e Kuvendit bosh

0
Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të votohet për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, përfaqësuesit...

“Dorëheqje, o derëzinj!” – Opozita mbush Kuvendin me pankarta, nis seanca për imunitetin e...

0
Ka nisur seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku pritet të votohet për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të...

“Kuvendi duhet të japë autorizimin” – Bylykbashi kërkon votë pro heqjes së imunitetit të...

0
Në seancën plenare të kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë, anëtari i Këshillit të Mandateve, Oerd Bylykbashi, ka lexuar raportin e hartuar nga...

“Hiqni imunitetin e Ballukut” – Protestuesit mblidhen para Kuvendit gjatë seancës për çështjen e...

0
Paralelisht me seancën plenare të kësaj të enjteje, më 12 mars, ku priten debate të forta politike për çështjen e imunitetit të deputetes së...