Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK ka dhënë pretencën dhe kërkon 1 vit e 8 muaj burg për ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçin.
“Kërkoj deklarimin fajtor të të pandehurit Thoma Gëllçi për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe dënimin e tij me dy vjet e gjashtë muaj burg. Në aplikimin e nenit 406 të Kodit Penal, dënimin e tij me 1 vit e 8 muaj burgim”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Po kështu Prokuroria e Posaçme kërkon për Alban Malavecin, Julian Tapian dhe Ervin Muraj dënimin me 1 vit burg për shkelje të barazisë në tendera.
Gëllçi u arrestua me urdhër të SPAK në tetor të vitit të kaluar, bashkë me tre punonjës të tjerë të Radio Televizionit Shqiptar.
Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me fond limit afro 87 milionë lekë të zhvilluar në datën 9 nëntor të vitit 2018.