Pas protestës së zhvilluar më 28 shkurt në Rrjoll, ku tensionet mes banorëve dhe punonjësve të një kompanie private sigurie u përshkallëzuan në përplasje fizike, 15 banorë janë vetëdorëzuar sot në Komisariatin e Policisë së Shkodrës, të shoqëruar nga avokati i tyre, Ndue Pjetra.
Dy persona të tjerë janë arrestuar, ndërsa shtatë banorë po hetohen në gjendje të lirë. Konflikti kishte shpërthyer pasi kompania, e kontraktuar nga firma ndërtuese për të siguruar kantierin e një resorti luksoz, kishte nisur punimet, ndërsa banorët kundërshtojnë praninë e saj, duke pretenduar se prona i përket atyre.
Avokati Pjetra ka deklaruar se kërkesa për arrestimin e banorëve përbën një manovër të Policisë së Shkodrës për të frenuar protestat. Ai shtoi se përplasja kishte ndodhur me punonjësit e kompanisë private, ku një prej tyre mbeti i plagosur. Ngjarja ka nxitur shqetësim për tensionet në zonë dhe vijon të monitorohet nga autoritetet.






