12.5 C
Tiranë
Friday, November 29, 2024
spot_img

“Shqipëria aktualisht ka pullën më të shtrenjtë nga të gjitha shtetet”/Pikëpyetjet e afatit të koncesionit të pullave fiskale

Çfarë do të ndodhë me koncesionin e pullave fiskale, që nga problemet me afatet e përfundimit të kontratës deri te shqetësimet e përsëritshme të bizneseve të mallrave të akcizës për çmimet e larta të pullave që po paguajnë përtej afatit 10-vjeçar

Dorina Azo

Kontrata e koncesionit të pullave fiskale, sipas konkluzioneve të grupit të punës të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) përfundon më 6 shkurt 2023.

Në vijim të shqetësimeve të ngritura nga aktorët e tregut për përfundimin e afatit 10-vjeçar të kontratës dhe tarifave disa herë më të larta se vendet e BE-së që po paguajnë, MFE ngriti një vit më parë grupin e punës me përfaqësues të ministrisë, Drejtorisë së Doganave dhe në bashkëpunim me rekomandimet e dhëna nga juristët e Avokaturës së Shtetit për të zgjidhur ngërçin e trashëguar për miratimin e datës efektive të kontratës.

Drejtori i koncesioneve në MFE, Edmond Ahmeti, pohoi për “Monitor” se grupi i ekspertëve që shqyrtoi kontratën e koncesionit, pas shqetësimeve të përsëritshme të sipërmarrjes, ka arritur në konkluzionet ligjore përfundimtare se data e mbylljes së koncesionit është 6 shkurt 2023.

Kompania koncesionare “SICPA Security Solutions Albania” i tha “Monitor” se pretendon se afati i kontratës përfundon pas zbatimit të sistemit “Track and Trace” për produktet farmaceutike. Sipas tyre, kjo zgjat afatin e zbatimit edhe 10 vjet deri në plotësimin e elementit të dytë të kontratës.

Pretendimet e saj ligjore kompania do t’i dërgojë zyrtarisht në MFE në muajin gusht, periudhë e përcaktuar nga grupi i punës, si fillim i përfundimit të kontratës. Në anën tjetër, në këto gati 10 vjet të zbatimit të marrëveshjes koncesionare, tarifa e pullave fiskale është paguar vetëm nga bizneset e akcizës, ndryshe nga sa ishte parashikuar në marrëveshjen e miratuar në 2012-n që do të zbatohej edhe për sektorin e farmaceutikës.

Shqetësimet e bizneseve të mallrave të akcizës për tarifë të lartë përtej afatit të kontratës po përsëriten çdo vit. Edhe vitin e kaluar, 11 biznese vendase njëzëri kërkuan që MFE t’i lehtësonte nga barra e rëndë e tarifave të pullave fiskale, pas përfundimit të kontratës koncesionare që po zbatohej për këtë shërbim.

Debati për afatet
-Ministria e Financave: Grupi i ekspertëve që shqyrtoi kontratën e koncesionit, pas shqetësimeve të përsëritshme të sipërmarrjes, ka arritur në konkluzionet ligjore përfundimtare se data e mbylljes së koncesionit është 6 shkurt 2023
-Kompania koncesionare: Afati i kontratës përfundon pas zbatimit të sistemit “Track and Trace” për produktet farmaceutike. Kjo zgjat afatin e zbatimit edhe 10 vjet deri në plotësimin e elementit të dytë të kontratës.

Problematikat me afatin e koncesionit

Kontratat e koncesionit mendohet të jenë marrëveshje nga zbatimi i të cilave duhet të përfitojnë ekonomikisht të gjitha palët, por kjo gjë nuk po ndodh me marrëveshjen e koncesionit të pullave fiskale. Koncesioni u dha nga qeveria e mëparshme me afat 10-vjeçar për vendosjen e pullave fiskale te mallrat e akcizës, si pijet alkoolike, birrat e importit dhe vendase, cigaret dhe barnat.

Mungesa e akteve ligjore për zbatimin e një komponenti të kontratës, atë të vendosjes së pullave fiskale te sektori i farmaceutikës për gjithë këto vite mbajti në ambiguitet datën e fillimit të marrëveshjes. Nga qeveria e mëparshme vetëm sa u hartuan udhëzimet për zbatimin e pjesës tjetër të kontratës, por nuk u miratuan.

Në vitin 2016, nga qeveria aktuale u miratua nisma për zbatimin e këtij komponenti ende të parealizuar, por projektligji u ndesh me kundërshtimet e shumicës së deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, pasi tarifat e pullës fiskale do të ndikonin te rritja e çmimeve të medikamenteve. Më pas qeveria u tërhoq nga nisma e depozituar në Kuvend.

Deri në vitin 2020, referuar edhe bilanceve kontabël të dorëzuar në QKB, kompania “SICPA Security Solutions Albania” raportonte se kontrata nuk ka gjetur zbatim të plotë për shkak të mosmiratimit të akteve ligjore për zbatimin e një elementi të saj dhe mosmiratimit të datës efektive nga MFE.

Cila do të jetë data e përfundimit të kontratës?

Drejtori i koncesioneve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Edmond Ahmeti, nënvizon se pas konsultimeve me Avokaturën e Shtetit, grupi i punës i strukturave të ministrisë, që mori në shqyrtim kontratën koncesionare, arriti në përfundimin se data e nisjes të kontratës është e përcaktuar në procesverbalin e përbashkët, i mbajtur në atë kohë ku autoriteti konfirmon, si datë efektive 6 shkurt 2013.

“Për sa më sipër, në analizën e vlerësimit ligjor të kontratës dhe të dokumentacionit të mbajtur në lidhje me zbatimin dhe ecurinë e saj dhe rekomandimeve të Avokaturës së Shtetit, konkludojmë se data e përfundimit të afatit është 6 shkurt 2023. Në konsideratë të kësaj date, në zbatim të Nenit 51 të kontratës dhe Aneksit 22 është përcaktuar se periudha e daljes fillon 6 muaj më parë, atëherë data e përcaktuar do të jetë 6.08.2022.

Shoqëria koncesionare, me përcaktimin e datës efektive me shkresë nga Autoriteti Kontraktues (AK) nuk mund të ketë asnjë pretendim tjetër në të ardhmen, apo kërkesë për zbatim të ndonjë penaliteti në lidhje me kontratën”, shton z. Ahmeti, duke cituar komunikimin zyrtar mes Ministrisë së Financave dhe kompanisë koncesionare.

Kompania “SICPA Security Solutions Albania” pretendon se afati i kontratës përfundon pas zbatimit të sistemit “Track and Trace” për produktet farmaceutike.

Zgjatja e afatit të kontratës, përtej afatit 10-vjeçar, për shkak të mosrealizimit të një komponenti të saj, do të krijonte absurditet juridik, sipas drejtorit të koncesioneve në MFE, z. Edmond Ahmeti, pasi në kontratë parashikohej njoftimi i zgjidhjes të saj në rast mospërmbushje të një kushti paraprak.

Sipas drejtorit të koncesioneve në MFE, z. Edmond Ahmeti, në kontratën e konsultuar edhe me Avokaturën e Shtetit në nenin 4 të saj, përcaktohet se për elementin e parealizuar secila nga palët ka pasur të drejtën e zgjidhjes së kontratës. “Këtë të drejtë nuk e ka realizuar asnjëra nga palët në atë kohë.

Pra nuk ka hequr dorë nga kontrata, ose të ketë njoftuar palën tjetër për zgjidhje të kontratës për mospërmbushje të një kushti. Si e tillë, duke qenë se tarifa koncesionare kishte nisur të paguhej që në vitin 2012, në vijim të diskutimeve në mbledhjet e mbajtura nga bordi i zbatimit të kontratës (përfaqësuesit e ministrisë dhe të kompanisë koncesionare) kanë rënë dakord që do të konsiderohej 6 shkurti 2013 datë e fillimit të kontratës, që do të thotë data e përmbushjes së kushteve paraprake. Kjo ishte pjesa që nuk ishte përcaktuar zyrtarisht për hyrjen në fuqi të kontratës”.

Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, pohon se shoqatat e biznesit ende nuk kanë një përgjigje zyrtare për qëndrimin që do të mbajë MFE për koncesionin. Bregasi tha se, nëse kontrata do të zgjasë përtej afatit 10-vjeçar për mallrat e akcizës, pasi nuk është përmbushur një element i saj, atë të vendosjes së pullave fiskale te barnat, vendimi do të ishte arbitrar, i padrejtë dhe në shkelje të kontratës koncesionare.

“Miratimi i këtij vendimi do të cilësohej një akt i pastër korruptiv nga institucionet që menaxhojnë zbatimin e kontratave. Marrëveshja e shtetit me koncesionarin është ratifikuar nga Kuvendi. Qeveria nuk mund të bjerë dakord me asnjë kompani për shtyrjen e afatit përtej asaj që është miratuar. Kontrata për pagesat e industrisë së akcizës ka përfunduar. Vendosja e pullave fiskale për sektorin e farmaceutikës nuk është përgjegjësi e jona. Do të ishte arbitrare që ne të vazhdojmë të paguajmë edhe 10 vite të tjera, përtej afatit të kontratës për sektorin tonë”.

Shqetësimet e biznesit
“Miratimi i zgjatjes së afatit do të cilësohej një akt i pastër korruptiv nga institucionet që menaxhojnë zbatimin e kontratave. Marrëveshja e shtetit me koncesionarin është ratifikuar nga Kuvendi. Qeveria nuk mund të bjerë dakord me asnjë kompani për shtyrjen e afatit përtej asaj që është miratuar. Kontrata për pagesat e industrisë së akcizës ka përfunduar. Vendosja e pullave fiskale për sektorin e farmaceutikës nuk është përgjegjësi e jona. Do të ishte arbitrare që ne të vazhdojmë të paguajmë edhe 10 vite të tjera, përtej afatit të kontratës për sektorin tonë”.

A është arritur rënia dakord për përfundimin e koncesionit?

Shkresa zyrtare e kompanisë koncesionare, që i është dërguar MFE pas miratimit të datës së përfundimit të kontratës (shkresa është konsultuar vizualisht nga “Monitor”) po has me pretendime të ndryshme mes palëve. MFE thotë se nëpërmjet komunikimit zyrtar është arritur rënia dakord për datën e fillimit dhe përfundimit të kontratës.

Në anën tjetër, kompania koncesionare pohon se do të nisë komunikimin zyrtar për pretendimet e saj ligjore në gusht të këtij viti. Me letrën e dërguar, sqaron kompania, MFE vetëm sa është vënë në dijeni për marrjen e konkluzioneve përfundimtare që iu paraqitën nga ministria.

“Ju falënderojmë për komunikimin zyrtar të datës 31 gusht 2021 dhe për faktin që po formoni zyrtarisht dakordësinë e arritur mes palëve në bordin e menaxhimit të projektit. Për sa i takon konkluzionit tuaj për datën efektive të kontratës, datën 6 shkurt 2013 dhe datën 6 shkurt 2023 si datë të përfundimit të kontratës dhe 6 gusht 2022, si datë të fillimit të periudhës së daljes, shprehim dakordësinë tonë. Për të evituar çdo dyshim sa më lart, nuk paragjykon asnjë të drejtë që buron nga kontrata e koncesionit”, thuhet në shkresën e datës 2 shtator 2021 që kompania SICPA Security Solutions Albania i ka dërguar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Kostot
Shpenzimet e sipërmarrësve të mallrave të akcizës për tarifën e pullës fiskale variojnë nga 1 deri në 2 milionë euro në vit. Shqetësimi i bizneseve mbeten kostot e larta për shkak të tarifës së lartë krahasuar me rajonin, e miratuar në 2012. Kompanitë gjithashtu ngrenë shqetësimin se ky koncesion duhet të kishte përfunduar, pasi pagesat e tyre kanë nisur që në vitin 2012.

Kostot e larta të tarifës, shqetësim i bizneseve

Shpenzimet e sipërmarrësve të mallrave të akcizës për tarifën e pullës fiskale variojnë nga 1 deri në 2 milionë euro në vit. Kompania e birrës “Stela”, vitin e kaluar pagoi 1 milion euro për pullat fiskale. Kostot kanë qenë të larta edhe për kompanitë e tjera të tregtimit të mallrave të akcizës.

Distributorët më të mëdhenj të tregtimit të mallrave të akcizës, kompanitë “AGNA Group” dhe “Alfa”, paguan secila nga 1 milion euro. Importuesit e cigareve për 2020 paguan rreth 2,6 milion euro për pullat fiskale. Shqetësimi i bizneseve mbeten kostot e larta për shkak të tarifës së lartë krahasuar me rajonin, e miratuar në 2012. Kompanitë gjithashtu ngrenë shqetësimin se ky koncesion duhet të kishte përfunduar, pasi pagesat e tyre kanë nisur që në vitin 2012.

Sipërmarrjet kërkojmë vendosjen e tarifës në nivelin e vendeve të rajonit. Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, propozon vendosjen e tarifës, të njëjtë sa në Kosovë, 3 euro për 1 mijë pulla. “Për sa i përket birrës vendase, në asnjë vend të botës nuk ka pullë fiskale. Bizneset e birrës paguajnë koston e rreth 27 eurove me TVSH për 1 mijë pulla fiskale, kur në Kosovë çmimi është 3 euro për 1 mijë pulla fiskale.

Tarifat e vendosura janë të padrejta. Ky është koncesioni më korruptiv i dhënë nga qeveria e kaluar. Kompanitë e prodhimit të birrës vendase kryen investime të larta për blerjen e pajisjeve për zbatimin e këtij regjimi, me qëllim që të vendosej pulla fiskale te birra. Nga kompania koncesionare nuk janë bërë investime, përveç ngritjes të serverit. Pra edhe kostot e vendosjes së pullave janë paguar nga kompanitë.

Pse këto para duhen të merren nga privati, kur shërbimi mund të kryhet nga shteti dhe fitimet e shërbimit do të financoheshin në ekonomi. Pavarësisht kësaj, ne nuk kërkojmë përjashtim nga pulla, pasi Shqipëria ka ende problem të evazionit dhe duhet të vazhdojnë të kontrollohen, por jo me çmim kaq të lartë.

Këto shqetësime janë ngritur nga BiznesAlbania, Shoqata e Prodhuesve të Birrës dhe sipërmarrës të tjerë edhe në muajin shkurt të vitit të kaluar, para përfundimit 10-vjeçar të kontratës nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama, ish-ministres së MFE, Anila Denaj dhe për dijeni institucioneve monitoruese për zbatimin e koncesioneve për përfundimin e koncesionit që duhej të ishte në fund të shkurtit 2021. Edhe vjet kërkuam që procesi i vendosjes së pullave fiskale te bizneset e akcizës të mos administrohej sërish nga privati me kosto kaq të larta”.

Tarifat e larta po dëmtojnë industrinë vendase, sipas kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve të Birrës, Stefan Pinguli, pasi paguajnë 22 euro për 1,000 pulla fiskale, ndërkohë që në vendet e rajonit, tarifa e pullave fiskale është 3 euro/1,000 copë.

“Koncesioni, që në fillim u miratua mbi parime absurde, pasi sipërmarrjet duhet të paguajnë një tarifë shumë të lartë që të kontrollohen nga shteti. Ky shërbim duhej të ofrohej nga institucionet shtetërore, nuk kishin pse të paguanin bizneset e tregtimit të mallrave të akcizës, tarifën e kontrollit të vetvetes.

Në anën tjetër, për sa i përket birrës vendase, nuk ka asnjë vend të botës pullë fiskale, përveç Shqipërisë dhe Kosovës. Çmimi shumë i lartë i pullave nuk ka asnjë efekt në buxhetin e shtetit, pasi të gjitha të ardhurat e pullave fiskale përfitohen nga kompania koncesionare dhe për më tepër nuk ka arritur të adresojë problemin e pullave të falsifikuara.

Kostot e pullave të falsifikuara po paguhen nga bizneset e ndershme. Nëse shteti kërkon të vazhdojë kontrollin e mallrave të akcizës nëpërmjet koncesionit, atëherë duhet të ulë tarifat në nivelet e vendeve të tjera të BE-së, në nivelin e 3 eurove/1,000 copë pulla fiskale”. Z. Pinguli nënvizon se kontrata koncesionare duhej të kishte përfunduar, por për arsye korruptive vijon ende zbatimin.

Administratori i “Agna” dhe “Alfa Group”, z. Kristo Naço, pohoi më herët për “Monitor” se çmimet e larta të pullave fiskale dhe burokracitë e këtij shërbimi që ofron kompania koncesionare “Sicpa Security Solutions Albania” nuk kanë dhënë efekte tek informaliteti, por veçse kanë shtuar kostot për sipërmarrjen.

“Pullat fiskale ishin shumë të sigurta edhe kur prodhoheshin nga Banka e Shqipërisë. Ofrimi i këtij shërbimi prej 10 vitesh nga kompania koncesionare nuk ka ndihmoi në rritjen e aktivitetit të bizneseve, por vetëm ka shtuar kostot”. Në disa produkte të mallrave të akcizës, siç është birra vendase, zoti Naço shpjegon se shpenzimet që u ngarkohen bizneseve prodhuese nuk kanë asnjë sens financiar.

Burimi: Bizneset

Kostot e tarifës koncesionare te cigaret

Për vitet 2012-2020, kompanitë e importit të cigareve kanë paguar mesatarisht rreth 3 mln euro në vit për pullat fiskale, sipas ekspertit të tregut të duhan/cigareve, z. Përparim Tushaj. Kostoja e lartë, sipas tij, vjen për shkak të çmimit të pullës së akcizës në Shqipëri 10 herë më të shtrenjtë se vendet e rajonit dhe BE-së.

“Për këtë arsye, kërkesa e vazhdueshme e industrive që përdorin pullat e akcizës është që Qeveria rinegociojë dhe të barazojë këtë kosto me vendet e BE-së dhe të rajonit, duke çliruar konsumatorët dhe kompanitë nga kostot shumë të shtrenjta, pa kompromentuar objektivat dhe rolin e pullës së akcizës. Me zhvillimet e reja teknologjike dhe një numër gjithnjë e në rritje të ofruesve të këtij shërbimi, ulja e çmimit është plotësisht e mundur, për sa kohë vendet e tjera e kanë arritur.

Çmimi shumë i lartë i pullave nuk ka asnjë efekt në buxhetin e shtetit dhe për më tepër nuk ka arritur të adresojë problemin e vërtetë të tregtisë së paligjshme me produkte të akcizës, e cila vazhdon të jetë problematike nga prodhues apo fermerë të paregjistruar vendorë (burime të ndryshme e vlerësojnë deri në 30% tregtinë e paligjshme).

Kjo pullë nuk mund të shitet si zgjidhje për tregtinë e paligjshme, pasi nuk e ka fuqinë e as nuk i mbron prodhuesit dhe importuesit e ndershëm nga konkurrenca e pandershme e tregtisë së paligjshme, por gjithashtu nuk i mundëson qeverisë një mbledhje më efektive të taksës së akcizës.

Roli dhe funksioni i pullës fiskale është i njëjtë në të gjitha shtetet e sipërpërmendura dhe ne besojmë fort që çmimi deri në 10 herë më i lartë nuk i sjell asnjë përfitim shtesë buxhetit të shtetit krahasuar me këto shtete. Për të njëjtat përfitime konsumatorët/kompanitë e këtyre vendeve paguajnë deri në 10 herë më pak se kompanitë rezidente në Shqipëri. Ne vumë re se i njëjti ofrues i shërbimit në Shqipëri ofron këtë shërbim në Turqi dhe në Gjeorgji, me çmime shumë herë më të ulëta”.

Pse nuk është ulur çmimi i pullave fiskale?

Kontrata është ligjërisht e blinduar për rishikimin e tarifave të pullave fiskale. Referuar kontratës së koncesionit, drejtori i MFE-së, Edmond Ahmeti, thotë se në asnjë nen të saj nuk mundësohet rishikimi i çmimit të pullave fiskale. Tarifa e pullave fiskale është përcaktuar në partneritet mes koncesionarit dhe qeverisë

Së kaluar, pas analizave të volumit të të ardhurave të mallrave të akcizës të paraqitura nga qeveria shqiptare, ku mësohet se ka pasur deklarim fiktiv 30% më shumë të të ardhurave të akcizës. Para datës së mbylljes së kontratës që është 6 gushti 2022, sipas përcaktimeve të Financave, do të marren masat për ngritjen e grupit operacional, që do të marrë në dorëzim objektin, pjesën verifikuese të asetit, me qëllim kalimin e aseteve në pronësi të shtetit.

Më tej, nga Drejtoria e Doganave do të ngrihet një grup pune për kryerjen e analizës se si do të vijojë ky shërbim dhe tarifat që do të aplikohen.

Sa fiton koncesionari

Të ardhurat e kompanisë Sicpa, sipas bilanceve të QKB-së për vitin 2012 ishin 7 mln euro dhe 8 mln euro për vitin 2013. Në total, deri në fund të 2020-s, të ardhurat e kompanisë janë 65 mln euro. Për periudhën 2010-2015, kompania ka raportuar humbje prej 4 mln euro, ndërsa në vijim ka rritur fitimet, duke kulmuar në 2019 me 1,7 mln euro. Për periudhën 2016-2019, kompania ka deklaruar fitime në totalin e 5 milionë eurove.

Çfarë ndodhi me kontratën në 2016?

Kontrata për vendosjen e pullave fiskale u miratua nga Parlamenti në shkurt të 2011-s, në periudhën e qeverisjes “Berisha”. Në vitin 2016, pas ndryshimit të pushteteve, qeveria “Rama” miratoi projektligjin për ndryshimin e kontratës së koncesionit.

Qëllimi i propozimit të këtij projektligji ishte ndryshimi i kontratës së koncesionit (me anë të një kontrate ndryshuese) për ngritjen e një sistemi kombëtar për kontrollin dhe gjurmueshmërinë e barnave, si dhe ngritjen e një sistemi kontrolli antimashtrim të shpërndarjes së barnave në vend.

Zbatimi i marrëveshjes synonte të arrinte një sistem të plotë që jep siguri në qarkullimin e barnave në të gjithë territorin, nëpërmjet gjurmimit të barnave në të gjithë rrugën që ato ndjekin deri te pacientët. Por Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë rrëzoi projektligjin me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm, pasi nisma do të ndikonte në rritjen e çmimeve të barnave.

Pulla e siguruar e barnave do të ishte me çmim 2.4% të çmimit të shitjes me pakicë të çdo produkti farmaceutik. Nga kjo marrëveshje humbiste edhe sistemi i gjurmimit “track and trace” të barnave dhe sistemi i pullave dyfishe të barnave, i cili i lejonte FDSKSH për gjurmimin e recetave false. Projektligji i paraqitur në Kuvend më 7 tetor 2016, që më pas është tërhequr, nuk parashikonte ndryshime të afatit të kontratës.

Çfarë kërkuan bizneset edhe një vit më parë

Në muajin shkurt të vitit 2021, importuesit dhe prodhuesit kërkuan ndryshimin e tarifave të pullave fiskale, meqenëse afati i koncesionit pritej të përfundonte së shpejti. Biznesi rekomandoi që me përfundimin e koncesionit, qeveria të miratonte tarifa të njëjta me vendet e BE-së, pasi sipas krahasimit të tarifave, rezulton se kostoja e pullave fiskale në Shqipëri është më e shtrenjtë se në BE dhe në shtetet e Europës Juglindore.

“Kjo është barra më e madhe parafiskale, e cila nuk sjell ndonjë të mirë shtesë në fushën e sigurisë dhe monitorimit të zinxhirit furnizues mbi ato të mira që shtetet e tjera janë në gjendje të marrin nga zgjidhje të ngjashme, por me një çmim shumë herë më të lirë të pullave dhe/ose zgjidhjeve totale, nëpërmjet sistemeve të gjurmimit nëpërmjet kodeve. Aktualisht, në Shqipëri, kompanitë që tregtojnë produkte që kanë detyrimin për pulla fiskale, paguajnë çmimet e mëposhtme për 1000 copë pulla, si: duhani 20 euro; alkooli 32 euro; birra 22 euro; barnat 14,43 euro.

Bazuar në kërkimet tona dhe vlerësimit e ekspertëve tanë fiskalë (të huaj e shqiptarë), në rajon dhe më gjerë, konfirmohet që në fakt, Shqipëria aktualisht ka pullën më të shtrenjtë nga të gjitha shtetet të cilat ne i morëm në analizë, të cilat kanë një peshë të madhe në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë. Gjithashtu ne vumë re se i njëjti ofrues i shërbimit në Shqipëri ofron këtë shërbim në Turqi dhe në Gjeorgji, me çmime shumë herë më të ulëta”, thuhej në letër.

Arsyeja që importuesit nëpërmjet një letre dërguar qeverisë kërkuan ulje të çmimeve për pullat fiskale është kostoja 10 herë më e lartë që paguhet për një shërbim, i cili nga vendet e rajonit përfitohet me çmim shumë herë më të lirë. “Në rastin e birrave për shembull, shpenzimet që kanë bizneset prodhuese vendase vetëm për blerjen e pullave fiskale janë sa 50% e detyrimit të akcizës, për njësi prodhimi.

Kjo është një kosto absurde që nuk mbështetet në asnjë logjikë financiare. Prandaj ulja e çmimeve do të reduktonte një barrë të paarsyeshme për kompanitë tona dhe do të ndikonte në përmirësimin e klimës së biznesit në vend”.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT