Shqipëria, fatmirësisht, ka dalë nga zona e kuqe e hartës së COVID në botë. Në hartën që tregon shpërndarjen e koronavirusit në botë në kohë reale, publikuar nga “The New York Times”, Shqipëria shihet e ngjyrosur me të verdhë, gjë që tregon për një rënie të ndjeshme të numrit të infeksioneve me COVID. Vendet e ngjyrosura me të kuqe dhe vishnjë, aktualisht vijojnë të kenë situatë të rëndë pandemie.
Në vend është vënë re një përmirësim i dukshëm i situatës pandemike. Prej ditësh ka një rënie të numrit të infeksioneve dhe fataliteteve. Një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në uljen e ndjeshme të infektimeve është vaksinimi, një proces që në Shqipëri vijon me ritme të shpejta. Këtë e deklaroi sot, në kuvend, edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ajo tha se vendi ynë ka aktualisht një incidencë të ulët, në nivelet e 26.6 raste për 100 mijë banorë nga 30.7 raste për 100 mijë banorë në javën pararendëse.
“Vendi ynë, bazuar në të dhënat epidemiologjike, ka dalë nga zona e kuqe, pra nga zona e riskut të Covid-19, krahasuar me vendet e tjera, qoftë të rajonit, dhe qoftë të Europës. Kjo, falë masave të shënjestruara dhe efekteve të vaksinimit që, sipas ekspertëve të shëndetit publik, po fillojnë të ndihen”.
“Pak ditë më parë kanë mbërritur në Shqipëri 11,700 doza të vaksinës Pfizer, pjesë e kontratës sonë me kompaninë Pfizer dhe sasia e parë e dozave që vijnë në kuadër të mbështetjes së instrumentit të Bashkimit Europian. Ndërkohë, çdo javë pritet lëvrimi i mëtejshëm i kontratave të lidhura, duke siguruar dozat e dyta, por edhe duke zgjeruar fashat, sipas grupeve të riskut”.