8.5 C
Tiranë
Wednesday, November 27, 2024
spot_img

Shqipëria dhe Anglia nënshkruajnë marrëveshjen për dëbimin e emigrantëve shqiptarë pa letra dhe atyre të përfshirë në vepra kriminale

Shqipëria dhe Anglia kanë nënshkruar një marrëveshje për dëbimin e emigrantëve shqiptarë pa letra dhe të atyre që janë përfshirë në vepra kriminale. Marrëveshja e re është firmosur nga ministri i Brendshëm shqiptar, Bledi Çuçi, dhe sekretarja britanike për punët e brendshme, Priti Patel, gjatë vizitës së kësaj të fundit në Shqipëri, javën që kaloi.

Kjo marrëveshje do të forcojë rregullat ekzistuese të Britanisë së Madhe për të larguar shtetasit shqiptarë, të cilët nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në këtë vend, ndërsa nuk ka asnjë ndikim tek ata, të cilët kanë mbërritur në Angli sipas rregullave në fuqi të emigracionit.

Krahasuar me marrëveshjen e shkuar, kjo e reja, nënshkruar nga Priti Patel dhe ministri Çuçi përshpejtohet dëbimi shqiptarëve pa leje qëndrimi në Angli apo atyre që përfundojnë dënimet me burg.

Sipas ministrisë së brendshme angleze Home Office nga muaj Prill e deri më tani janë dëbuar 250 shtetas shqiptarë me precedentë penal.

Duke folur nga Tirana, Sekretarja e Brendshme Priti Patel tha: Unë jam e vendosur për të rregulluar sistemin tonë të imigracionit, për të ndaluar hyrjen e paligjshme dhe për të larguar ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Britani sa më shpejt të jetë e mundur. Plani ynë i ri për Emigracionin, së bashku me këtë marrëveshje të re, do të përshpejtojë largimin e shtetasve shqiptarë të cilët kanë kryer krime në Mbretërinë e Bashkuar ose tejkaluan vizën e tyre.

Unë nuk kërkoj falje për largimin e kriminelëve të huaj të rrezikshëm për të mbrojtur popullin britanik dhe, deri më tani këtë vit, më shumë se 1.000 kriminelë të huaj janë deportuar, dhe më shumë do të largohen çdo javë. Marrëveshja e re mbi largimet në Shqipëri do të mbështesë ndryshimet legjislative që Sekretarja e Brendshme po bën si pjesë e projekt-ligjit historik të Kombësisë dhe Kufijve.

Projekt-ligji do të bëjë më të lehtë për të ekstraduar sa më shpejt që të jetë e mundur sa më shumë kriminelë të huaj nga MB dhe të ruajë besimin e publikut Britanik në sistemin e drejtësisë. Ndërsa në Shqipëri, Sekretarja e Brendshme gjithashtu takoi Kryeministrin Edi Rama ku përshëndeti bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për të luftuar krimin e rëndë të organizuar në rajon.

Ata gjithashtu riafirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për goditjen e grupeve të krimit të organizuar të bazuar në Ballkanin Perëndimor të përfshirë në trafik droge, financa të paligjshme dhe krim të organizuar të imigracionit në MB.

Sakaq sipas statistikave të kësaj ministrie deri në muajin Gusht të 2019 në burgjet angleze ishin 876 shqiptarë por statistikat tregojnë se në Mars 2021 numri u dyfishua në 1,574.

Duke llogaritur koston vjetore prej 44.600 stërlina për mbajtjen në burg të një personi, shtetit anglez i duhet të shpenzojë 70 milion stërlina në vit, vetëm për të burgosurit aktual shqiptarë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT