Shqipëria dhe Italia zhvilluan dje në Romë mbledhjen e parë të përbashkët midis dy qeverive, një hap historik në forcimin e partneritetit strategjik dypalësh. Kryeministri Edi Rama u prit në ceremoninë zyrtare nga Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, në rezidencën historike Vila Doria Pamphilj, ku u zhvillua edhe mbledhja.
Në kuadër të takimit u nënshkruan 15 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi që mbulojnë fusha të ndryshme strategjike, përfshirë kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, sigurinë, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin dhe zhvillimin ekonomik. Një fokus i veçantë u vendos edhe te mbrojtja civile dhe neonatologjia, duke përfshirë mbështetjen për fëmijët dhe nënat.
Në fushën e kulturës, u nënshkrua memorandum bashkëpunimi mes Fondacionit MAXXI dhe Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë, ndërsa në sektorin energjetik u vendos bashkëpunim për përmirësimin e rrjetit elektrik në veri të Shqipërisë, të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Po ashtu, marrëveshjet parashikojnë prodhimin e anijeve ushtarake dhe përforcimin e aftësive të mbrojtjes civile në vend.
Kryeministrja Meloni e cilësoi këtë moment historik, jo vetëm për faktin se është hera e parë që qeveritë takohen në këtë format, por edhe për sasinë dhe cilësinë e marrëveshjeve teknike dhe qeveritare. Nga ana e tij, Rama theksoi se kjo është një mundësi për të diskutuar projekte konkrete dhe për një të ardhme të përbashkët midis dy vendeve.






