Një familje shqiptare, me mesatarisht 3.6 persona shpenzon çdo muaj 83.4 mijë lekë për të plotësuar nevojat e saj për ushqime, pije, drita, qira, ujë, veshje, shëndet, telekomunikacion, argëtim, kafe, dreka etj.
Si në asnjë vend tjetër të Europës, rreth 42% e kësaj shume shkon për blerjen e ushqimeve dhe pijeve alkolike. Mesatarja e Bashkimit Europian është 13%, ndërsa nga vendet e rajonit më e larta është në Kosovë, me rreth 34%.
Në vlerë, sipas INSTAT, një familje shpenzonte mesatarisht rreth 35 mijë lekë në muaj për Ushqim dhe pije jo-alkolike, me të dhënat që i referohen Anketës së Buxhetit të Familjeve për vitin 2020 (e dhëna e fundit e disponueshme).
Me inflacionin e produkteve ushqimore që ishte rreth 6% në shkurt 2022 (në mars pritet të jetë shumë më i lartë pasi është shtrenjtuar pothuajse çdo produkt), një familje duhet të shpenzojë të paktën edhe 2 mijë lekë në muaj për të blerë të njëjtan sasi produktesh.
Për 769 mijë familje që ka në vend, sipas të dhënave të INSTAT, shpenzimi mujor vetëm për ushqime pritet të jetë të paktën 1.5 miliardë lekë, ose rreth 13 milionë euro më shumë përgjatë marsit.
Sipas qarqeve, familjet e Vlorës shpenzojnë më shumë për ushqime, me 49.1% të totalit (sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2019, e dhëna e fundit e disponueshme), e ndjekur nga Dibra (48.2%) dhe Elbasani (48.1%) dhe më pak Korça (39%) dhe Tirana (36.5%).
Çmimet e produkteve ushqimore u rritën ndjeshëm në mars, pas problemeve globale që shkaktoi sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. 30 artikujt kryesore të shportës së mallrave ku përfshihen nafta dhe gazi me datën 15 mars u shiten 20 për qind me shtrenjtë se në janarin e këtij viti. Lista e çmimeve në muajin janar ka si referencë matjet e INSTAT të disponueshme për publikun në webin zyrtar, ndërsa çmimet e datës 15 mars u morën nga pikat e pakicës në kryeqytet që kanë reflektuar nivelet më të ulëta të rritjes.
Shpenzimet më të larta në Europë edhe për bukë e drithëra
Shqipëria, një nga shtetet më të varfra të Europës, renditet si vendi, ku banorët e saj shpenzojnë më shumë për bukë dhe drithëra në raport me të ardhurat e tyre.
Sipas tabelave të publikuara nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat), shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB- që mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një vit) ishin 4.8%, në vitin 2020, më të lartat në Europë.
Viti pandemik ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve për këtë produkt jetësor, teksa në periudhën 2016-2019, ky tregues ishte ulur në 4.7% të PBB-së.
Shteti i dytë pas nesh është Rumania, me 4% të PBB-së, si shpenzime për bukë dhe drithëra, Mali i Zi, me 3.9% të GDP-së, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3.1% dhe Maqedonia me 3%. Edhe Greqia, ndonëse një vend në Bashkimin Europian, shpenzon 2.7% të GDP-së për bukë dhe drithëra. Serbia, e ka këtë tregues më të ulëtin në rajon, me 2.4% (të dhënat për Kosovën mungojnë).
Mesatarja e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate (përjashtuar Turqinë dhe Kosovën) është 3% e GDP-së, shumë më e lartë se mesatarja prej 1.3% e 27 vendeve të Bashkimit Europian.
Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 220 euro në vit, më të lartat në rajon, së bashku me Malin e Zi (266 euro). Nivelin më të ulët në rajon e ka Maqedonia (157 euro) e më pas Serbia (164 euro). Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për këtë produkt, pasi është më i shtrenjtë, por për shkak të të ardhurave të larta, ai nuk rëndon në xhepat e tyre.
Varësia e lartë nga buka dhe drithërat është dhe një nga arsyet pse shitjet e miellit arritën rekord javët e fundit, teksa konsumatorët nxituan të blinin këtë produkt nga frika se ai mund të shtrenjtohej, apo të ishte në mungesë në të ardhmen