-0.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Shqipëria para sfidës: Shifra të larta të denoncimeve për dhunën në diten ndërkombëtare të dhunës ndaj grave

Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës ndaj Grave gjen Shqipërinë në një situatë të ndjeshme, pasi të dhënat e policisë tregojnë një numër të lartë denoncimesh për dhunën me bazë gjinore. Në 10 muajt e këtij viti, janë regjistruar 2,373 kërkesa-padi për urdhra mbrojtje nga gratë dhe vajzat që kanë denoncuar aktet e dhunës. Një nga denoncueset, e quajtur Gentiana, rrëfen një histori të dhimbshme, ku ka përballuar kërcënime me jetë për veten dhe familjen e saj nga një partner i dhunshëm.

Pas një dhune sistematike, që e duroi për më shumë se 5 vjet, Gentiana ka tani një urdhër të dytë mbrojtje nga gjykata, të cilin bashkëshorti dhunues e shkel herë pas here, duke e kërcënuar nga afër me jetë. Por ajo thotë me vendosmëri se do të divorcohet nga babai i fëmijës së saj dhe do të nisë një jetë të re larg tij.

“Ai nuk llogariti asgjë, as familjen as fëmijën. Llogariti vetëm dhunën, tradhtinë, alkoolin, heroinën dhe erdhi momenti që jam në proces të ndarjes. Por djalin atij nuk ia lë, sepse duke e njohur shumë mirë se çfarë personi është, unë për djalin kam shumë frikë”, thotë Gentiana.

Në prani të avokates, Gentiana tregon për Zërin e Amerikës dhunën disavjeçare, që ka duruar vetëm për hir të fëmijës, gjatë gjithë martesës së saj nga bashkëshorti përdorues i drogave dhe alkoolit.

“Pas divorcit do të marr një shtëpi të vogël, do të gjej një punë, madje mund të bëj edhe dy punë, dhe do të jetoj më djalin. Nuk i trembem jetës”, thotë Gentiana.

Veprimtaret për të drejtat e grave theksojnë se mbrojtja dhe riintegrimi janë afatgjatë dhe vazhdojnë të mbeten problematike në Shqipëri.

Por ka jo pak raste kur gratë e dhunuara hyjnë në kurse profesionale apo regjistrojnë fëmijët në shkolla të tjera larg nga zona ku ka ndodhur dhuna, dhe ato kanë arritur t’ia dalin me sukses falë denoncimit të hershëm dhe koordinimit të gjithë aktorëve.

Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, ku e takuam Gentianën, jep ndihmë avokatie falas asaj dhe qindra gra e vajza të tjera, që pësojnë dhunë në familje.

Juristja Nadia Guni, në këtë organizatë me përvojë 25 vjeçare, thotë se krahas ndihmës së parë ligjore, qendra kryen edhe përfaqësimin falas në gjykatë të këtyre grave e vajzave, e më pas lidhet me shoqata dhe institucione për punësimin dhe rehabilitimin e tyre.

“Është një procedurë shumë komplekse. Dhuna në familje nuk mbaron me zgjidhjen e një martese apo me një urdhër mbrojtje nga gjykata. Ajo kërkon të ndiqet në një procedurë shumë më të gjatë. Fokusi i Qendrës tonë është ndihma juridike falas, pjesën tjetër ne përpiqemi që të lidhemi me organizata të tjera në mënyra që viktima e dhunës të marrë një paketë të plotë shërbimesh, të rehabilitohet dhe të rifutet në sistemin tonë shoqëror e përmirësuar dhe të mos ketë më problemet që ka ndeshur më parë”, tha juristja Guni.

Veprimtaret pohojnë se ende nuk funksionin plotësisht reagimi i koordinuar institucional lidhur me dhunën në familje, ndërsa pushteti vendor përpiqet të veprojë me burimet financiare e njerëzore përballë rasteve të dhunës me bazë gjinore.

Është vërejtur se në ato bashki ku ka shoqata për të drejtat e grave, që ofrojnë shërbime direkte ndaj vajzave dhe grave të dhunuara edhe mekanizmi shtetëror i mbrotjes së tyre reagon më mirë.

Por ka edhe bashki që nuk reagojnë pothuajse fare dhe ndajnë buxhete minimale për këtë çështje.

Ekspertët pohojnë se dhuna me bazë gjinore buron prej mendësive patriarkale, dhe kjo shihet hapur në çdo denoncim dhe histori personale të grave dhe vajzave të dhunuara.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT