Në juglindje të qytetit ukrainas Kupjansk ndodhet qyteza e vogël Kupjansk-Vuzlovi, një zonë që së fundmi është bërë sërish objekt pretendimesh nga ana e ushtrisë ruse. Në nëntor të vitit 2025, komandanti i lartë rus, gjenerali Valery Gerasimov, deklaroi se Kupjansku kishte rënë nën kontrollin e forcave ruse. Megjithatë, zhvillimet në terren treguan një tjetër realitet.
Forcat ukrainase kishin ndërmarrë një kundërofensivë dhe, sipas burimeve ushtarake, po arrinin të largonin njësitë e fundit ruse nga qyteti. Javën e kaluar, Gerasimov përsëriti pretendimet, këtë herë duke thënë se ushtria ruse kishte marrë kontrollin e Kupjansk-Vuzlovit. Por vëzhgues të pavarur rusë dhe ukrainas të fushëbetejës raportuan se trupat ruse ndodheshin rreth 10 kilometra larg zonës dhe nuk kishin asnjë kontroll real mbi të.
Ndërsa lufta ka hyrë në vitin e pestë, Rusia ka intensifikuar goditjet ndaj rrjetit energjetik dhe qendrave të ngrohjes në Ukrainë, duke lënë mijëra qytetarë përballë temperaturave të ulëta. Megjithatë, pavarësisht dëmeve infrastrukturore, Moska nuk ka shënuar fitore bindëse në fushëbetejë.
Luftimet shtrihen përgjatë një fronti rreth 1.100 kilometra të gjatë, por avancimi rus mbetet i ngadalshëm. Sipas një studimi, ritmi i lëvizjes konsiderohet ndër më të ngadalshmit në konfliktet moderne.
“Fronti i luftës përshkruhet më së miri si ‘stagnim dinamik’, që nënkupton luftime intensive me ndryshime gjeografike margjinale”, ka deklaruar Ivan Torres, major i pensionuar i ushtrisë amerikane dhe analist i lartë në Rochan Consulting.
Vlerësime të ngjashme vijnë edhe nga Institute Royal United Services në Londër, i cili thekson se:
“Ukraina nuk po humb dhe Rusia nuk po fiton”.
Kupjansku, i njohur për kryqëzimin e rëndësishëm hekurudhor, ka kaluar disa herë nga njëra palë te tjetra që nga nisja e luftës në shkurt 2022. Pas rimarrjes nga forcat ukrainase në shtator të atij viti, ushtria ruse është përpjekur gradualisht të rikthehet, duke përdorur taktika infiltrimi, përfshirë depërtimin përmes gazsjellësve të braktisur në zonën e Oskilit.
Autoritetet ukrainase reaguan duke angazhuar njësi të specializuara me dronë dhe, para Vitit të Ri, arritën t’i shtyjnë forcat ruse nga periferitë. Megjithatë, kushtet e këqija atmosferike në javët e fundit kanë vështirësuar operacionet për pastrimin e plotë të zonës.
“Pastrimi i plotë i Kupjanskut duket i vështirë, por rusët e kanë humbur momentumin”, ka thënë Emil Kastehelmi, analist ushtarak në Black Bird Group.
“Nuk pres ndryshime të mëdha në të ardhmen në atë zonë”, ka shtuar ai, duke theksuar se edhe nëse Ukraina humb disa pozicione në lindje të lumit Oskil, kjo nuk do të thotë një avancim të thellë rus.
Një tjetër pikë e nxehtë mbetet Kostiantinivka, qytet strategjik për furnizimin dhe transportin hekurudhor. Pas rënies së Çasiv Jar-it vitin e kaluar, forcat ruse kanë shtuar presionin, duke përfituar nga pozicioni më i lartë gjeografik për bombardime.
“Kostiantinivka mund të jetë në listën e operacioneve kryesore të rusëve”, ka deklaruar Torres.
“Këto zona janë shumë problematike për Ukrainën. Luftimet karakterizohen nga sulme të shpejta të këmbësorisë, që synojnë lodhjen e mbrojtësve, jo domosdoshmërisht një depërtim të thellë”.
Pavarësisht presionit të vazhdueshëm dhe bisedimeve për paqe të mbështetura nga SHBA-ja, situata në front mbetet e paqartë, me luftime intensive dhe ndryshime minimale territoriale.






