Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ka lexuar në Kuvend raportin e shumicës lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij, Manja theksoi se në kërkesën e SPAK nuk ka akuza për korrupsion apo për pengim të drejtësisë nga ana e deputetes.
“Në kërkesën e SPAK-ut nuk ka akuza as për korrupsion dhe as për pengim të drejtësisë nga ana e deputetes”, u shpreh ai.
Sipas Manjës, pretendimet e ngritura nga SPAK janë hipotetike dhe nuk mbështeten në prova konkrete apo fakte. Ai shtoi gjithashtu se situata juridike ka ndryshuar, pasi Belinda Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
“Për sa kohë deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive, nuk ka më asnjë rrezik real për prishjen e provave apo për ndikim në proces”, tha Manja.
Deputeti socialist theksoi se Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë e një deputeti, por duhet të vlerësojë kërkesën duke respektuar Kushtetutën dhe balancën ndërmjet pushteteve.
“Kuvendi nuk është sot përballë një votimi të zakonshëm. Jemi përballë një vendimmarrjeje që prek lirinë personale të një deputeti, ushtrimin e mandatit dhe balancën mes pushteteve. Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë”, u shpreh Manja.






