Gjykata e Kurbinit, liroi inxhinierin e kompanisë “Eral Construction” ku vdiq Maksim Debrova, me argumentin se ai nuk kishte asnjë lidhje sepse 34-vjeçari nuk punonte aty, por kjo i ka vrarë për së dyti familjarët.
Pasi televizioni ka shkuar në banesën e familjes Debrova në Elbasan, ku gruaja dhe nëna e të riut që ndërroi jetë në 25 maj, tregojnë një tjetër version të historisë teksa akuzojnë kompaninë, që ishte kontraktuar për pallatet e rindërtimit në Milot, se po tenton që të fshehë të vërtetën.
Gruaja Ergeta ka rrëfyer se bashkëshorti i saj ishte invalid, që nuk fliste dhe dëgjonte dhe punonte në ndërtim në të zezë te Eral Construction. Dyshimet se ngjarja po fshihet shtohen edhe më shumë prej faktit se kompania, i ka kthyer pas sendet personale të viktimës, por jo celularin.
“Ka qenë në punë, kjo është e vërteta, ai ishte prej një viti në atë punë, ka qenë e vështirë për të që të punonte, për shkak të aftësisë së kufizuar, por nuk ia dilnim dot 5 veta që të jetonim, ndaj detyrohej që të punonte. Ne kërkojmë mbështetje për fëmijët, e vërteta besoj se nuk ka për të dalë kurrë, kërkojmë mbështetje financiare.
Vajzën e madhe e kam 10 vjeç, është me pampers, nuk ulet dhe nuk ngrihet dot vetë, fëmijët e tjerë i kam 6 dhe 2 vjeç. Kërkoj mbështetje nga shteti, që fëmijët të kenë një të ardhme. Drejtësi kërkoj, por firma thotë që nuk është, dua të di si u vra, si ndodhi, mos ta mohojnë se ka qenë në punë.
Jemi ndjerë shumë keq, ka punuar në të zezë, dhe ata thonë që nuk është vrarë në punë, paguhej 20 mijë lekë në ditë. Paguhej, merrte ushqime për fëmijët, kjo është e vërteta, telefonin nuk na e kanë kthyer, telefoni është gjetur vetëm pardje. Telefonin për momentin e ka policia”, shprehet gruaja e viktimës.
E motra Olta Lleshanaku thote se disponon video nga momentet e punes se vellait. Sot ajo kërkon drejtësi dhe mbështetje ekonomike për tre fëmijët e mitur, ku më e madhja është me aftësi të kufizuara.
“Vëllai im më sillte çdo ditë video, kishte qejf, pyeta një qytetar, i cili kishte rrobat e vëllait tim. Para 5 minutave se të ishte rrëzuar në tokë, një qytetar i kishte dhënë ujë, ne kërkojmë drejtësi, dhe mbështetje për fëmijët, ku do të hanë ku do të pinë. Është shumë e vështirë. Nuk na tregojnë të vërtetën, thonë që nuk ka qenë në punë, por vëllai ka qenë, i kam të gjitha videot”, u shpreh e motra për gazetaren Entela Duka.
Gjykata e Kurbinit, e liroi inxhinierin e kompanisë “Eral Construction”, Mondi Turhani, cili tha se i ndjeri nuk kishte asnjë lidhje me kompaninë.