Sokol Bizhga merr detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në mënyrë të komanduar, pas shkarkimit të Ilir Prodës. Vendimi është formalizuar me shkresën nr. 70/y, të firmosur nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, dhe i është dorëzuar Bizhgës gjatë mesditës.
Bizhga, i cili deri tani mbante postin e zv.drejtorit të Përgjithshëm, merr kompetencat e kryepolicit përkohësisht, derisa të zhvillohet konkursi për zgjedhjen e pasuesit të Ilir Prodës. Konkursi është i hapur për të gjithë ata që mbajnë gradat Drejtues, Drejtues i Parë dhe Drejtues i Lartë në Policinë e Shtetit.
Shkarkimi i Ilir Prodës u argumentua me mosruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së Partisë Demokratike më 28 shkurt, veçanërisht në Vila 31, ish-vilën e Enver Hoxhës, ku protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë ndërsa brenda ndodheshin 7 artistë francezë.






